Sonte në Venecie të Italisë fillon festivali i parë që po mbahet në formë fizike prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, megjithëse pritet të duket shumë më ndryshe nga edicionet e kaluara.
Tradicionalisht, në këtë ngjarje të rëndësishme kinematografike yjet e filmit vinin në qytet me barka, ku pastaj priteshin nga adhuruesit e entuziazmuar me të cilët pozonin për fotografi dhe u nënshkruanin autografe. Një tjetër karakteristike e festivalit ishte edhe atmosfera energjike mbi qilim të kuq.
Ndërsa këtë vit, publikut i është kërkuar të mos e rrezikojë shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të këtilla ku mblidhen shumë njerëz, dhe kështu t’i rezistojnë dëshirës për t’i takuar idhujt e tyre të kinematografisë. Si pasojë, premierat me qilim të kuq për filmat pjesëmarrës të festivalit, po zhvillohen pa prezencën e fansave.
Kriza globale shëndetësore po ashtu ka bërë që numri i filmave konkurrent të jetë më i vogël këtë vit, dhe prezenca e yjeve të listës A në Hollywood të jetë shumë e vogël dhe e limituar, transemeton Koha.
Juria e sivjetme e festivalit udhëhiqet nga aktorja australiane, Cate Blanchett, e cila tashmë ka arritur në qytetin e bukur të Venecies. Të famshmit e tjerë që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen fizike në këtë ngjarje janë edhe, Matt Dillon, Pedro Almodovar dhe Tilda Swinton.
Në garën kryesore të festivalit ndërkombëtarë të filmit këtë vit janë gjithsej 18 filma, të cilët konkurrojnë për çmimin “Luani i Artë”. Vetëm dy prej këtyre filmave janë produksione amerikane si, “Nomadland” një dramë me protagonist aktoren Frances McDormand dhe “The World To Come”, film ky që në rolin kryesor e sjell aktorin Casey Affleck.
Edicioni i 77-të i festivalit të filmit në Venecie, fillon të mërkurën më 2 shtator ndërsa përmbyllet më datë 12 të këtij muaji.