Showbiz

Zoey Deutch thotë se e ka pasur koronavirusin

Zoey Deutch thotë se e ka pasur koronavirusin

Aktorja 25-vjeçare, Zoey Deutch, ka thënë se ajo dhe një grup i miqve të saj ishin prekur nga koronavirusi, dhe bëri të ditur se e ka luftuar sëmundjen vdekjeprurëse më një muaj të tërë, para se të fillonte të ndihej më mirë.

Në një intervistë të fundit aktorja e filmit “Zombieland: Double Tap” tha: “E kam pasur koronavirusin qysh në fillim të shpërthimit të pandemisë, pra para se të hynim në karantinë. Po ashtu një grup i miqve të mi ishin infektuar me këtë sëmundje. Njerëzit më pyesnin vazhdimisht ‘Ku u infektove?’ dhe do të doja të kisha përgjigje për këtë. Mendoj se do të kisha mundur të flisja më gjerësisht për eksperiencën time me koronavirusin, nëse do ta dija si jam infektuar. Por, unë vazhdova që për një muaj të tërë të testohesha pozitive me COVID-19, që është kohë më e gjatë sesa mjekët thoshin se duhet të zgjat ajo. Tani, jam shumë mirë. Jam falënderuese që gëzoj shëndet të plotë dhe në njëfarë mënyre ndihem shumë me faj që e kam tejkaluar atë me lehtësi. Mendoj se ky virus po shkakton konflikt emocional për njerëzit. Më duhet të them se jam e lumtur që instinkti më ka shtyrë të qëndroj e izoluar në shtëpi, para se të paralajmëroheshim për këtë nga zyrtarët e shëndetësisë.”