Aktori i njohur 56-vjeçar, Russell Crowe, luan në një film të ri të zhanrit triler, i cili e sjell historinë e një gruaje që përfshihet në një zënkë të dhunshme në rrugë, pasi refuzon t’i kërkojë falje burrit të gabuar, për një gabim të vogël të cilin e bën teksa është në kolonë të veturave.
Studioja filmike prapa këtij projekti e ka bërë të ditur lajmin se kanë vendosur ta lansojnë atë për publikun e gjerë, në korrik të këtij viti, transmeton Koha.
Mark Gill, president dhe kryeshefi i studios “Solstice”, në një deklaratë për media citohet të ketë thënë: “E kemi marrë vendimin e lansimit të filmit këtë verë, pas konsultimeve të vazhdueshme me Shoqatën Kombëtare të Teatrove në vend, si dhe rrjetet më të mëdha të kinemave. Pikërisht këto biseda na kanë bindur se ka mënyra për t’i bërë vizitat nëpër kinema të sigurta”.
Regjinë e filmit “Unhinged” e ka bërë Derrick Borte, derisa për skenarin është kujdesur Carl Ellsworth. Në rolin e producentes së këtij projekti vjen Lisa Ellzey, derisa krahas yllit të kinematografisë Russell Crowe në film luajnë edhe aktorët, Caren Pistorius, Gabriel Bateman, Jimmi Simpson dhe Austin P. McKenzie.
Ylli i filmit “Gladiator” u bë i famshëm kah fundi i viteve ’90, me rol në filma të tillë, si: “L.A. Confidential”, “Cinderella Man”, “A Beautiful Mind”, “Robin Hood” dhe të tjerë. Pavarësisht një karriere të suksesshme në kinematografi, dashuria e parë e Russellit kishte qenë muzika. Ai kishte performuar në bende të ndryshme gjatë viteve ’80, derisa ende e praktikon këtë pasion duke interpretuar nëpër lokale të ndryshme me grupin e tij, “Indoor Garden Party”. Aktori ka deklaruar se refuzon të zgjedhë mes dy pasioneve të tij.