Në kohën kur fansat e filmave “Star Wars” e festojnë këtë projekt të njohur kinematografik, u bë i ditur lajmi se Taika Waititi do të shërbejë si regjisor dhe bashkë-skenarist i filmit të ardhshëm, që vjen pas atij “Star Wars: The Rise of Skywalker”.
Ky film do të jetë projekti i radhës i regjisorit të shpërblyer me “Oscar”, ngjarja e të cilit zhvillohet në një Galaksi të largët, pas serisë së kanalit Disney+, “The Mandalorian”, në të cilin përveç si regjisor Waititi gjithashtu e pati një rol, transmeton Koha.
I njohur për regjinë e filmave të tillë si, “Jojo Rabbit” dhe “Thor: Love and Thunder”, Waititi po ashtu është angazhuar për ta shkruar skenarin e këtij filmi, bashkë me skenaristen e filmit “1917”, Krysty Wilson-Cairns. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje shtesë rreth temës që ky projekt e trajton, apo datës së lansimit të tij.
Filmi i kaluar “Star Wars: The Rise of Skywalker” ishte lansuar vitin e kaluar, duke e shënuar kështu përfundimin e sagës së përbërë nga nëntë vazhdime dhe që bazohen në historinë e Luke Skywalker. Me t’u shfaqur nëpër kinema, ai nuk kishte arritur të merrte kritika aq të mira nga ekspertët e industrisë apo adhuruesit e filmit.
Aktori John Boyega së fundmi kishte deklaruar se filmi i ka përfshirë disa pjesë të cilat e kanë zhgënjyer, por ka shtuar se në përgjithësi është ndarë i kënaqur me këtë projekt me buxhet të lartë. Edhe kolegia e tij, Daisy Ridley, e ka mbrojtur filmin nga kritikat e ashpra, duke thënë se historia e tij ka ndryshuar pak nga pak, por ekipi prapa projektit e ka bërë maksimumin për ta sjellë një vazhdim në nivel me pritshmëritë e publikut dhe Hollywoodit.