Showbiz

Marion Cotillard e udhëheq ekspeditën e “Greenpeace” në Antarktidë

Descriptive Text

Fituesja e çmimit “Oscar”, Marion Cotillard, dhe aktorja kineze, Ni Ni, janë nisur për në detet e hapura për një ekspeditë të “Greenpeace” në Antarktidë.

Yjet, si dhe aktori i “Vikings”, Gustaf Skarsgard, janë bashkuar me studiuesit dhe biologët detarë të Greenpeace në një udhëtim në Polin e Jugut për t’i vëzhguar pinguinët dhe balenat, në një mision për kontrollin klimatik.

"Antarktida është një shkretëtirë e akullt në të cilën nuk duhet të ketë ndikim njerëzor, por edhe pjesët më të largëta të planetit tonë po ndryshojnë me një ritëm alarmues", thotë ylli i “La Vie En Rose”, Cotillard, përcjell KOHA Ditore.

"Kjo është hera e parë që kam jetuar ndonjëherë në një anije, dhe është e mahnitshme të kaloj kohë me ekuipazhin e Greenpeace dhe shkencëtarët që janë këtu duke bërë punë të rëndësishme për t’i kuptuar kërcënimet me të cilat po përballen oqeanet, si ndryshimi i klimës, peshkimi industrial dhe ndotja me plastikë. Planeti ynë është një planet i kaltër: oqeani mbulon më shumë se të gjitha kontinentet së bashku. Të gjithë ne kemi një përgjegjësi ta mbrojmë atë".

Ekspedita katërjavëshe “Pole To Pole” do të ndalojë në një varg ishujsh në Antarktidë.