Showbiz

Disney dhe Fox po punojnë në versionin e ri të “Planetit të majmunëve”

Ka mbërritur lajmi për edhe një reboot të ri dhe këtë herë bëhet fjalë për franshizën Planeti i Majmunëve.

Projekti aktualisht është në zhvillim e sipër dhe nuk dihet akoma nëse do të jetë një vazhdim i trilogjisë së kaluar që përfundoi në vitin 2017 me “War for the Planet of the Apes”, një reboot krejt i ri i trilogjisë apo një film i pavarur. Dihet vetëm se Disney/Fox tashmë e kanë angazhuar regjisorin për projekt, dhe bëhet fjalë për Wes Ball (trilogjia The Maze Runner), zbulon TheWrap.

Image

T’ju rikujtojmë, Planeti i Majmunëve është titulli i romanit francez SF me po të njëjtin titull, i publikuar në vitin 1963 nga Pierre Boulle, dhe i cili ishte frymëzim për filmin e vitit 1968 “Planet of the Apes” me Charlton Heston, i cili u bë i pari nga pesë filmat e realizuar midis viteve 1968 dhe 1973 kur doli filmi i fundit në atë franshizë, “Battle for the Planet of the Apes”, shkruan KOHA Ditore. Filmat kanë qenë jashtëzakonisht të popullarizuar dhe janë bërë temë e kritikëve për çështje racore, Luftën e Ftohtë dhe çështjet e të drejtave të kafshëve. Të pesë filmat u distribuuan nga studioja 20th Century Fox.

Në vitin 2001, Tim Burton e xhiroi versionin e ri të “Planet of the Apes” me Mark Wahlberg në rolin kryesor dhe Tim Roth në rolin e keqbërësit kryesor, por përkundër suksesit financiar 20th Century Fox nuk vendosi për vazhdim, por vendosi ta bëjë një reboot të plotë të franshizës e cila filloi në vitin 2011 me filmin Rise of the “Planet of the Apes” me regji të Rupert Wyatt me James Franco në rolin kryesor. Filmi ishte një sukses i madh, kritik dhe komercial, ndërsa në vitin 2014 pasoi vazhdimi “Dawn of the Planet of the Apes” me regji të Matt Reeves dhe filmi i tij i fundit në trilogjinë “War of the Planet of the Apes i vitit 2017.

Filmi më i ri i Planetit të Majmunëve do të jetë filmi i parë nga franshiza e studios 20th Century Fox qëkur kjo studio u ble nga Disney.