Missy Elliott është pothuajse po aq e njohur për videot e saj muzikore revolucionare sa është edhe për këngët që e shoqërojnë atë.
Reperja, emri i vërtetë i të cilës është Melissa Elliott, do ta marrë një çmim prestigjioz për njohjen e videove të saj inovative muzikore gjatë 25 viteve të fundit.
Ajo do ta marrë çmimin Video Vanguard Award në MTV VMA, çmim ky i cili më parë i kishte takuar Janet Jackson, Beyonce, Kanye West, Pink, Jennifer Lopez dhe Michael Jackson, sipas të cilit është emëruar çmimi.
Për fansat e saj, të cilët kanë bërë fushatë për disa vite që ajo ta marrë Vanguard, çmimi është vonuar shumë.
“Prania e saj si një grua e zezë me figurë të plotë me shumë kreativitet ishte lloji i përfaqësimit që më duhej ndërsa po rritesha,” thotë Leah Sinclair, redaktore online për The Voice, transmeton “Koha Ditore”. “Jam e sigurt se shumë vajza të vogla si unë e shikuan të mahnitura stilin e saj, karizmin dhe talentin që dilte nga ekrani.
“Ajo e përqafoi të çuditshmen dhe të mrekullueshmen, që ishte një gjë e rrallë në mesin e bashkëmoshatarëve të saj po aq të talentuar por të hiper-seksualizuar”.
Elliott e kaloi një periudhë veçanërisht të suksesshme në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, me një brend pozitiv dhe të këndshëm të hip-hopit, duke i përzier tekstet e saj shpesh humoristike me ritme të mprehta, të cilat ajo i prodhoi me bashkëpunëtorin e saj afatgjatë Timbaland.
Ajo bëhet reperja e parë femër që e fiton çmimin. Slate, ueb faqja e pop kulturës, madje ka kërkuar që çmimi të riemërohej, sipas saj, në vend të Michael Jackson, i cili u akuzua për abuzim seksual në fillim të këtij viti në dokumentarin Leaving Neverland.
“Kur e shikoni një video të Missy Elliott, e dini që do të keni diçka të mahnitshme,” shkroi J'na Jefferson në Vibe në një artikull vitin e kaluar, i cili argumentoi se ajo duhet të ishte njohur nga MTV kohë më parë. “Ajo ka vazhduar të na mahnitë me stil dhe grim të mahnitshëm modern.”
Singli debutues i Missy - The Rain (Supa Dupa Fly) - u publikua në vitin 1997, ndërsa video klipi shoqërues i këngës e luajti një rol kyç që industria e muzikës ta vërejë atë.