Showbiz

Bill Murray dhe Adam Driver kundër zombive

Disa vitet e fundit duken sikur është epokë e artë për zombit, sepse kjo temë shpesh shfaqet edhe nëpër ekranet televizive, si dhe nëpër ekranet e mëdha të filmave. Jim Jarmusch është regjisori i fundit i cili vendosi të merret me këtë temë.

Tani kemi mundësi ta shohim trilerin e parë zyrtar për filmin humoristik për zombie “The Dead Don’t Die”, me një ekip fantastik të aktorëve.

E vendosur në periferinë e fjetur të Centerville, ngjarja na e sjell atë vend të mbushur përnjëherësh me zombi, të cilët janë në kërkim të mishit njerëzor dhe njëkohësisht të obsesionuar me gjërat që i donin, derisa ishin të gjallë, siç janë tenisi, vrapimi apo chardonnay - në rastin e personazhit të cilin e luan Carol Kane.

Në mes të këtij kaosi, gjenden policët Bill Murray, Adam Driver dhe Chloë Sevigny, të cilët duhet të merren me këtë problem kaq të madh për një qytet kaq të vogël. Sipas trilerit të parë, ky është tregimi bazik të cilin e sjell filmi, në të cilin do të shfaqen personazhe shumë më të rëndësishme se vetë tregimi.

Kështu, përveç të lartpërmendurve, në film luajnë Iggy Pop dhe Tom Waits në anën e të vdekurve që ecin, Tilda Swinton, Steve Buscemi, Danny Glover, Selena Gomez dhe RZA në anën tjetër, shkruan KOHA Ditore.

The Dead Don’t Die do të shfaqet më 14 qershor, kur fillon distribuimi në kinematë amerikane. Ende nuk janë publikuar datat e publikimit për pjesën tjetër të botës.