KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Додаток за култура

Албанците на Балканот низ сто книги

“Njëqind librave për shqiptarët në Ballkan” mbledh recensio

“Njëqind librave për shqiptarët në Ballkan” mbledh recensione e shkrime për libra të botuara gjatë katër dekadave, nga viti 1985 deri më 2025. Arnauti i rendit në katër pjesë, të kushtuara gjuhës dhe letërsisë, orientalistikës, historisë dhe politikës, si dhe trashëgimisë e qytetërimit

Vlera e “Njëqind librave për shqiptarët në Ballkan” – botuar në Aman të Jordanisë nga shtëpia botues “al-Ān Nāshirūn wa-Muwazziʿūn” – qëndron te leximi që Muhamed M. Arnauti u bën veprave duke i vënë në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Për lexuesin arab, vëllimi hap një rrugë drejt një literature të shpërndarë në disa gjuhë

“Njëqind libra për shqiptarët në Ballkan” është vepra e studiuesit Muhamed M. Arnaut, në Lindje i njohur si Muhamed M. Arnauti, e botuar para ca ditësh në Aman të Jordanisë nga shtëpia botues “al-Ān Nāshirūn wa-Muwazziʿūn”. Këtë herë, siç shihet në përmbajtjen e veprës, autori ka përfshirë recensione të librave të botuar, që i ka botuar në shtypin arab  gjatë 1976-2023, në disa gjuhë: shqip, serbisht-kroatisht-boshnjakisht dhe anglisht, që trajtojnë shqiptarët në Ballkan, duke përfshirë gjuhën, letërsinë, historinë e tyre politike e kulturore dhe marrëdhëniet me popujt fqinjë.

Interesimi i Muhamed M. Arnautit për historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare zë fill në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ai filloi punën në Departamentin e Gjuhëve Orientale të Universitetit të Prishtinës, që atëherë bënte pjesë në Fakultetin Filozofik, ndërsa sot në Fakultetin e Filologjisë. Gjerësia e këtij interesimi shihet në veprën “Njëqind libra për shqiptarët në Ballkan”, ku një fjalor arabisht–shqip, një vakëfname e Korçës dhe një studim për shafranin në Kaçanik ndriçojnë, secili nga këndvështrimi i vet, pjesëmarrjen e shqiptarëve në qarkullimin e gjuhëve, të dijeve dhe të praktikave shoqërore në Ballkan. Fjalori dëshmon punën e disa brezave të orientalistëve, vakëfnameja ndihmon për të kuptuar zhvillimin e një qyteti, ndërsa studimi për shafranin na çon në kuzhinën e një vakëfi, te njerëzit që ushqeheshin prej saj. Pikërisht aty ku historia e institucioneve takohet me hollësitë e jetës së përditshme, libri jep disa nga faqet e tij më të mira. 

Vepra mbledh recensione e shkrime për libra të botuara gjatë katër dekadave, nga viti 1985 deri më 2025. Arnauti i rendit në katër pjesë, të kushtuara gjuhës dhe letërsisë, orientalistikës, historisë dhe politikës, si dhe trashëgimisë e qytetërimit. Në parathënie ai shpjegon se shkrimet janë ribotuar kryesisht në trajtën e tyre fillestare, me disa ndërhyrje në tituj. Kjo zgjedhje ruan gjurmët e kohës kur u shkrua secili recension. Vëllimi dokumenton kështu edhe mënyrën se si librat për shqiptarët janë paraqitur në shtypin kulturor arab gjatë kësaj periudhe. Një vepër e botuar në Prishtinë apo në Tiranë, që për lexuesin arab mund të kishte mbetur vetëm një titull në bibliografi, merr këtu një kontekst gjuhësor, historik dhe letrar.

Në pjesën e parë, dy shkrime të njëpasnjëshme tregojnë mirë si punon Muhamed M. Arnauti. Te romani i Sinan Hasanit “Rrushi ka nisur mu pjekë”, ai e lidh përdorimin e orientalizmave me mjedisin shoqëror e kulturor të rrëfimit. Te shkrimi për Tahir Dizdarin, e njëjta çështje trajtohet nga këndvështrimi i leksikografisë, duke vënë në dukje edhe ndërmjetësimin e osmanishtes në depërtimin e këtyre huazimeve në gjuhën shqipe. Në shkrimet për Ismail Kadarenë, vëmendja kalon te mënyra se si letërsia përpunon kujtesën osmane dhe marrëdhënien e Shqipërisë me Evropën (f. 13–25, 55–58).

Pjesa për orientalistikën ka një rëndësi të veçantë për historinë e studimeve shqiptare. Në shkrimet për Hasan Kaleshin, Feti Mehdiun dhe Fjalorin arabisht–shqip të Isa Memishit mund të ndiqet zhvillimi i një tradite studimore që mori formë institucionale me hapjen e Degës së Orientalistikës në Prishtinë më 1973. Kaleshi del në pah për punën e tij në njohjen dhe përkthimin e letërsisë arabe, Mehdiu për historinë e përkthimeve nga arabishtja gjatë një shekulli, ndërsa fjalori i Memishit dëshmon pjekurinë e punës leksikografike. Një ide që merr formë në këtë pjesë është se studimi i gjuhëve dhe i letërsive të Lindjes u ka dhënë studiuesve shqiptarë edhe mjetet për të lexuar burimet e historisë së tyre. Kjo lidhje bëhet e prekshme kur libri kalon nga përkthimet letrare te dorëshkrimet, vakëfnamet dhe dokumentet e shkruara në arabisht (f. 138–141, 168–179).

Pjesa për historinë dhe politikën e vë në provë kornizën e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Shkrimi për kujtimet e Ahmet Zogut është ndër shembujt më domethënës. Përmes përpjekjeve të mbretit në mërgim për t’u gjetur strehim shqiptarëve të larguar nga vendi pas vitit 1944, dalin në pah lidhjet e tij me Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë. Po aq domethënës është leximi i një libri të Marenglen Verlit për Kosovën, i recensuar para shpalljes së pavarësisë. I rilexuar sot, shkrimi tregon se si shtrohej çështja e Kosovës në prag të atij zhvillimi dhe çfarë peshe u jepej atëherë fuqive të mëdha (f. 205–209, 224–228).

Në pjesën e fundit, dy recensone për vakëfet tregojnë sa e frytshme mund të jetë ndërthurja e historisë shoqërore me leximin e dokumenteve. Vakëfnameja në arabisht e Iljaz Bej Mirahorit ndihmon për të shpjeguar se si shërbimet e financuara nga vakëfi ndikuan në zhvillimin urban të Korçës. Ndërkaq, në recensionin për librin e Ylber Hysës mbi shafranin në Kaçanik, Muhamed M. Arnauti ndalet te ushqimi që u jepej falas nevojtarëve dhe udhëtarëve në kuzhinën e vakëfit të Sinan Pashës. Në ditë të caktuara, aty shërbehej edhe një ëmbëlsirë me oriz, mjaltë e shafran. Një hollësi e tillë merr vlerë historike sepse tregon si një institucion bamirësie mund t’ua vinte në dispozicion shtresave të varfra një përbërës që zakonisht ishte privilegj i të pasurve (f. 447–450, 483–490).

Për përdorim studimor, një tregues i emrave dhe një bibliografi e përbashkët e librave të recensuar do ta bënin më të lehtë të ndiqej një autor ose një temë nëpër pjesë të ndryshme.

Vlera e “Njëqind librave për shqiptarët në Ballkan” qëndron te leximi që Muhamed M. Arnauti u bën veprave duke i vënë në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Për lexuesin arab, vëllimi hap një rrugë drejt një literature të shpërndarë në disa gjuhë. Të dhënat nga leksikografia te historia e qyteteve, libri dëshmon se marrëdhëniet shqiptaro-arabe kuptohen më mirë kur ndiqen përmes punës konkrete të përkthyesve, studiuesve dhe institucioneve që i kanë mbajtur gjallë.