Vlera e “Njëqind librave për shqiptarët në Ballkan” – botuar në Aman të Jordanisë nga shtëpia botues “al-Ān Nāshirūn wa-Muwazziʿūn” – qëndron te leximi që Muhamed M. Arnauti u bën veprave duke i vënë në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Për lexuesin arab, vëllimi hap një rrugë drejt një literature të shpërndarë në disa gjuhë
“Njëqind libra për shqiptarët në Ballkan” është vepra e studiuesit Muhamed M. Arnaut, në Lindje i njohur si Muhamed M. Arnauti, e botuar para ca ditësh në Aman të Jordanisë nga shtëpia botues “al-Ān Nāshirūn wa-Muwazziʿūn”. Këtë herë, siç shihet në përmbajtjen e veprës, autori ka përfshirë recensione të librave të botuar, që i ka botuar në shtypin arab gjatë 1976-2023, në disa gjuhë: shqip, serbisht-kroatisht-boshnjakisht dhe anglisht, që trajtojnë shqiptarët në Ballkan, duke përfshirë gjuhën, letërsinë, historinë e tyre politike e kulturore dhe marrëdhëniet me popujt fqinjë.
Interesimi i Muhamed M. Arnautit për historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare zë fill në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ai filloi punën në Departamentin e Gjuhëve Orientale të Universitetit të Prishtinës, që atëherë bënte pjesë në Fakultetin Filozofik, ndërsa sot në Fakultetin e Filologjisë. Gjerësia e këtij interesimi shihet në veprën “Njëqind libra për shqiptarët në Ballkan”, ku një fjalor arabisht–shqip, një vakëfname e Korçës dhe një studim për shafranin në Kaçanik ndriçojnë, secili nga këndvështrimi i vet, pjesëmarrjen e shqiptarëve në qarkullimin e gjuhëve, të dijeve dhe të praktikave shoqërore në Ballkan. Fjalori dëshmon punën e disa brezave të orientalistëve, vakëfnameja ndihmon për të kuptuar zhvillimin e një qyteti, ndërsa studimi për shafranin na çon në kuzhinën e një vakëfi, te njerëzit që ushqeheshin prej saj. Pikërisht aty ku historia e institucioneve takohet me hollësitë e jetës së përditshme, libri jep disa nga faqet e tij më të mira.
Vepra mbledh recensione e shkrime për libra të botuara gjatë katër dekadave, nga viti 1985 deri më 2025. Arnauti i rendit në katër pjesë, të kushtuara gjuhës dhe letërsisë, orientalistikës, historisë dhe politikës, si dhe trashëgimisë e qytetërimit. Në parathënie ai shpjegon se shkrimet janë ribotuar kryesisht në trajtën e tyre fillestare, me disa ndërhyrje në tituj. Kjo zgjedhje ruan gjurmët e kohës kur u shkrua secili recension. Vëllimi dokumenton kështu edhe mënyrën se si librat për shqiptarët janë paraqitur në shtypin kulturor arab gjatë kësaj periudhe. Një vepër e botuar në Prishtinë apo në Tiranë, që për lexuesin arab mund të kishte mbetur vetëm një titull në bibliografi, merr këtu një kontekst gjuhësor, historik dhe letrar.
Në pjesën e parë, dy shkrime të njëpasnjëshme tregojnë mirë si punon Muhamed M. Arnauti. Te romani i Sinan Hasanit “Rrushi ka nisur mu pjekë”, ai e lidh përdorimin e orientalizmave me mjedisin shoqëror e kulturor të rrëfimit. Te shkrimi për Tahir Dizdarin, e njëjta çështje trajtohet nga këndvështrimi i leksikografisë, duke vënë në dukje edhe ndërmjetësimin e osmanishtes në depërtimin e këtyre huazimeve në gjuhën shqipe. Në shkrimet për Ismail Kadarenë, vëmendja kalon te mënyra se si letërsia përpunon kujtesën osmane dhe marrëdhënien e Shqipërisë me Evropën (f. 13–25, 55–58).
Pjesa për orientalistikën ka një rëndësi të veçantë për historinë e studimeve shqiptare. Në shkrimet për Hasan Kaleshin, Feti Mehdiun dhe Fjalorin arabisht–shqip të Isa Memishit mund të ndiqet zhvillimi i një tradite studimore që mori formë institucionale me hapjen e Degës së Orientalistikës në Prishtinë më 1973. Kaleshi del në pah për punën e tij në njohjen dhe përkthimin e letërsisë arabe, Mehdiu për historinë e përkthimeve nga arabishtja gjatë një shekulli, ndërsa fjalori i Memishit dëshmon pjekurinë e punës leksikografike. Një ide që merr formë në këtë pjesë është se studimi i gjuhëve dhe i letërsive të Lindjes u ka dhënë studiuesve shqiptarë edhe mjetet për të lexuar burimet e historisë së tyre. Kjo lidhje bëhet e prekshme kur libri kalon nga përkthimet letrare te dorëshkrimet, vakëfnamet dhe dokumentet e shkruara në arabisht (f. 138–141, 168–179).
Pjesa për historinë dhe politikën e vë në provë kornizën e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Shkrimi për kujtimet e Ahmet Zogut është ndër shembujt më domethënës. Përmes përpjekjeve të mbretit në mërgim për t’u gjetur strehim shqiptarëve të larguar nga vendi pas vitit 1944, dalin në pah lidhjet e tij me Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë. Po aq domethënës është leximi i një libri të Marenglen Verlit për Kosovën, i recensuar para shpalljes së pavarësisë. I rilexuar sot, shkrimi tregon se si shtrohej çështja e Kosovës në prag të atij zhvillimi dhe çfarë peshe u jepej atëherë fuqive të mëdha (f. 205–209, 224–228).
Në pjesën e fundit, dy recensone për vakëfet tregojnë sa e frytshme mund të jetë ndërthurja e historisë shoqërore me leximin e dokumenteve. Vakëfnameja në arabisht e Iljaz Bej Mirahorit ndihmon për të shpjeguar se si shërbimet e financuara nga vakëfi ndikuan në zhvillimin urban të Korçës. Ndërkaq, në recensionin për librin e Ylber Hysës mbi shafranin në Kaçanik, Muhamed M. Arnauti ndalet te ushqimi që u jepej falas nevojtarëve dhe udhëtarëve në kuzhinën e vakëfit të Sinan Pashës. Në ditë të caktuara, aty shërbehej edhe një ëmbëlsirë me oriz, mjaltë e shafran. Një hollësi e tillë merr vlerë historike sepse tregon si një institucion bamirësie mund t’ua vinte në dispozicion shtresave të varfra një përbërës që zakonisht ishte privilegj i të pasurve (f. 447–450, 483–490).
Për përdorim studimor, një tregues i emrave dhe një bibliografi e përbashkët e librave të recensuar do ta bënin më të lehtë të ndiqej një autor ose një temë nëpër pjesë të ndryshme.
Vlera e “Njëqind librave për shqiptarët në Ballkan” qëndron te leximi që Muhamed M. Arnauti u bën veprave duke i vënë në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Për lexuesin arab, vëllimi hap një rrugë drejt një literature të shpërndarë në disa gjuhë. Të dhënat nga leksikografia te historia e qyteteve, libri dëshmon se marrëdhëniet shqiptaro-arabe kuptohen më mirë kur ndiqen përmes punës konkrete të përkthyesve, studiuesve dhe institucioneve që i kanë mbajtur gjallë.