KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Додаток за култура

„Сакам“ - нашето огледало кое му зборува на светот

Оние кои доживеале војна честопати имаат чувство дека филмот „Дуа“ е направен и за нив.

Оние кои доживеале војна честопати имаат чувство дека филмот „Дуа“ е направен и за нив.

Rrëfimi i filmit “Dua” tregon shumë pa skena lufte. Pa statistika e imazhe masakrash. Ndalet te ndjesia njerëzore. Te ajo e gjeneratës së atyre që pësuan veç pse ishin shqiptarë. Pikërisht tek ata, skenat e filmit kanë efektin e reminishencës. Një vështrim personal për filmin e Blerta Bashollit, i cili u shfaq në Prishtinë në ditët kur Serbia varrosi me ceremoni ushtarake kriminelë lufte të dënuar për gjenocid

Kur nisin të shfaqen titrat e fundit që tregojnë ekipin dhe të pranishmit marrin vesh se ai përfundoi e nisin të ngrihen, Cimi, njëri prej shikuesve, nis të ledhatojë gjoksin. Pas pak, merr frymë thellë dhe ia beh: “Më preku. Më shtini me i kujtu do sende”. Filmi “Dua” i Blerta Bashollit e ka këtë “problem”. Ata që kanë përjetuar luftën, e sidomos ata që kanë pasur moshën afërsisht të rolit kryesor, në disa raste shkëputen nga rrëfimi. Zhyten te përjetimi personal. Ekrani shndërrohet në njëfarë pasqyre ku këta lloj shikuesish e shohin veten. E, fjalia e regjisores Basholli “Shpresoj e keni gjetur një copëz të vetes në këtë film”, vjen si një urim retorik. Po, ata që kanë përjetuar luftën shpesh kanë ndjesinë se filmi është bërë edhe për ta. Shpalos me nuanca edhe rrëfimin e tyre e, mbi të gjitha, tregon se ç’ka ngjarë me të rinjtë shqiptarë në Kosovën e viteve ’90.

Ata që kanë përjetuar vitet ’90 dhe luftën, filmi i detyron që të mos i shmangen një leximi subjektiv. Por ky detyrim vjen nga rrëfimi i sinqertë që shfaqet. Dua (Pinea Matoshi) është roli kryesor. E bart përgjegjësinë që sytë e saj të tregojnë se çfarë po ngjan. Një ndjekje nga policia serbe i jep fund një ndeje. Po ashtu, një puthjeje prej adoleshentësh. S’po bënin kurrfarë krimi. Thjesht ishin shqiptarë dhe shqiptari – si popullsi shumicë – s’gëzonte të drejtë të kënaqej në Kosovën e viteve ’90. Me fotografi të ngushtë, veç te Dua, ekipi ka bërë zgjedhjen e duhur. S’ka skena masive. Ato janë te një protestë dhe në stacion të trenit, por prapë me fokus te Dua. Prishtina e sotme, në një fotografi të gjerë, s’flet shumë për atë kohë, e fokusi te personazhi mban vëmendjen veç te rrëfimi i adoleshentes.

Dua, një mëngjes, duke shkuar në shkollë, sheh një trup femre të shtrirë. Është motra e shoqes së saj. Mban emrin Leonora dhe skena sikur thotë se ajo ka pësuar dhunë seksuale e më pastaj është vrarë. Sipas organizatave ndërkombëtare, rreth 20 mijë gra janë dhunuar në Kosovë në vitet e luftës. Por te “Dua” s’flitet për shifra, por për ndjesi. Vetë adoleshentja sulmohet në një tjetër ditë pikërisht në atë vend. Një burrë serb me moshë gati të pensionit i fut dorën në prapanicë dhe asaj i shembet bota.

Filmi, nëpërmjet Duas dhe familjes së saj, rrumbullakon ndjesinë e okupimit të Kosovës nga Serbia, çnjerëzimin e shqiptarëve dhe trajtimin e tyre si qenie pa kurrfarë vlere. Mësimi mbahet në shtëpi-shkolla, pasi shqiptarët s’mund t’i përdorin ndërtesat publike. Prindërit e Duas janë larguar nga puna. I ati (Kushtrim Hoxha) rropatet me naftë për të nxjerrë ndonjë markë – valutë e asaj kohe – kurse e ëma (Yllka Gashi) qep në makinë.

Disa pjesë të qytetit janë të ndaluara për të rinjtë shqiptarë. Në ato zona ka të rinj serbë që poshtërojnë, rrahin e dhunojnë shqiptarët që kalojnë. Janë skena që i ka përjetuar shumëkush. E këtu hyn në punë subjektiviteti. Çdo vendbanim në Kosovë kishte zona të tilla. Në rastin e Duas, për grupe të tilla në Prishtinë ajo është një “kurvë shqiptare”.

Këto peripeci e bëjnë t’ua mësyjë ushtrimeve të xhudos për t’u mbrojtur. E personi që e ka ngacmuar, sa herë që e sheh, ia përmbys botën. Përderisa në pjesët e tjera të Kosovës ka luftë, refugjatë e çka jo tjetër, në Prishtinë shtypja vazhdon. Një ditë ajo e lut të atin që të shkojë me të për të shitur naftë. Gjatë kthimit ai ndalet nga policia, rrahet e dehumanizohet në prani të së bijës. Kur kthehen në shtëpi, derisa i shëron plagët, i ati bëhet sikur s’ngjau asgjë. Është diçka si te “La vita è bella”. Prapë subjektiviteti hyn në punë. Për pak momente krijohet shkëputja nga filmi. S’ka se si të mos më kujtohet në këtë rast babai im, kur u kthye në shtëpi i rrahur fort pasi kishte tentuar t’ia vazhdojë regjistrimin makinës. Asokohe 40 vjeç, i përjashtuar nga puna, me 4 fëmijë, dhe në prani të tyre mbulon shumë pjesë të trupit me akull për t’i frenuar pak të ënjturat. “Dilni e luani pak...” qe fjalia e vetme që i shkoi ndërmend për t’i shmangur fëmijët para se të largonte bluzën për t’i parë plagët. Ose ajo skena tjetër kur policia, sa ishim refugjatë në fshatrat e Rahovecit, ndau burrat, i shtriu përmbys në tokë dhe nisi t’i shqelmojë. E për një moment një epror jep urdhër që të shkelen me tank. Heq dorë pasi veç donte të shpërndante frikë. Derisa i ati i Duas shëron plagët, bashkëshortja e tij mbyll derën e banjës që fëmijët të mos shohin. S’ka gjasa të mos më kujtohet nëna ime që, derisa babai me xhaxhain shkelmoheshin nga policët, kujdesej me një batanije që fëmijët të mos i shihnin ato skena.

“Dua” i ngjall këto përjetime. I ngjall pasi rrëfimi i një adoleshenteje, siç ishte regjisorja e skenaristja Basholli në kohën e luftës, është i sinqertë. Tregon edhe se si jo veç pushteti serb, por edhe shumica e banorëve serbë ishin në një vijë me pushtetin asokohe. Ose edhe më të ashpër.

Dua s’mund të qëndrojë gjatë në dritaren e banesës në “Ulpianë”, pasi s’i duron skenat e shkelmimit të shqiptarëve në një protestë. Por filmi tregon se edhe në kohë të tilla njeriu gjen pak kohë për t’u kënaqur. Si ai moment kur ia thotë këngës me të madhe në dhomën e banesës e, në anën tjetër, nëna e saj shkrehet në lot për faktin se fëmijët e saj janë qenie të burgosura në shtëpinë e tyre. Mllefi ndaj ngacmuesit bën që atij t’ia thyejë një dritare të makinës dhe t’ia grushtojë të birin. Kjo kushton shumë. Aq shumë sa një refugjate e Drenicës, që e ka të atin në luftë, ia jep ta shesë orën që ia kishte lënë i ati para se të nisej në front. Është një akt solidariteti i nivelit që sot mbase as nuk paramendohet. Por asokohe ngjante.

Rrëfimi i “Dua” tregon shumë pa skena lufte. Pa statistika e imazhe masakrash. Ndalet te ndjesia njerëzore. Tek ajo e gjeneratës së atyre që pësuan veç pse ishin shqiptarë. Skenat si ajo kur presidenti amerikan Bill Clinton i flet popullit amerikan duke treguar se do të bombardohet ish-Jugosllavia shkaku i krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, janë dramë më vete. Me dritaret e mbuluara me batanije për të mos u hetuar se aty ka banorë, familja merr lajmin. Vendosin që të ndahen: Një pjesë të dalë në qytet në mënyrë që të deportohen me tren. Portreti i Duas në dritaren e trenit është skena e fundit. Aty në fytyrën e një adoleshenteve lexohet shumëçka. Mbi të gjitha tmerri.

Pas Cannes, Sarajevës e festivaleve të tjera, “Dua” u shfaq edhe në Prishtinë. Bash në ditët kur Serbia varrosi me ceremoni ushtarake kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq, të shpallur fajtor për gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, pasi trupat e komanduara prej tij, midis të tjerash, më 1995 vranë mbi 8 mijë civilë në Srebrenicë. Derisa mediat botërore tregonin për nderimet që i bën shteti e populli serb Mlladiqit, që vdiq i burgosur me dënim të përjetshëm, “Dua” është kandidati i Kosovës për nominimin për “Oscar”. Rrëfen sinqerisht për atë që di të bëjë mendësia e Mlladiqit dhe atyre që e nderojnë atë sot. Është pasqyra jonë që i flet botës.