Mariah Carey, që njihet si mbretëresha e Krishtlindjeve, duket se nuk pret dhjetorin për të përjetuar atmosferën festive. Këngëtarja e hitit të famshëm “All I Want for Christmas Is You” ka treguar se dashuria e saj për këtë festë nuk zbehet gjatë gjithë vitit.
“Unë jam gjithmonë shpirtërisht gati për Krishtlindje, edhe gjatë verës”, ka thënë 57-vjeçarja në një intervistë për revistën Интервју.
Carey ka pranuar se është e fiksuar pas kësaj feste dhe se emocionet e saj janë po aq të forta sa kur ishte fëmijë.
“Jam e dashuruar pas Krishtlindjeve. I përjetoj me të njëjtin emocion si kur isha e vogël dhe i adhuroja”, ka thënë ajo.
E pyetur se çfarë dëshiron si dhuratë këtë vit, këngëtarja nuk kërkoi diçka luksoze, por një qen të vogël.
Ajo zbuloi gjithashtu një nga kënaqësitë e saj të preferuara: ëmbëlsirat me çokollatë. Madje tregoi një kombinim interesant që kishte provuar gjatë Halloweenit: shampanjë me pak çokollatë brenda gotës.
Ndërkohë, Carey ka kujtuar edhe xhirimet e videoklipit të këngës së saj ikonike “All I Want for Christmas Is You”, të publikuar në vitin 1994. Ajo ka treguar se gjatë xhirimeve kishte pasur shumë ftohtë, pasi ishte veshur fustan e kuq me gëzof të bardhë, sikur kostumi i babadimrit.
“Po ngrija nga të ftohtët me atë veshje”, ka kujtuar ajo, duke shtuar se ende e ruan të njëjtën veshje dhe e përdor çdo vit.
Kënga, e cila është kthyer në një prej simboleve muzikore të festave të fundvitit, ka një histori të veçantë për këngëtaren. Carey ka treguar se e kishte nisur kompozimin në një tastierë të vogël elektronike, në një dhomë të shtëpisë ku jetonte në atë kohë në veri të New Yorkut.
Ajo kishte hedhur në letër gjithçka që i kujtonte Krishtlindjet, me dëshirën që edhe njerëzit e tjerë të përjetonin të njëjtin gëzim festiv.
Dashuria e saj për Krishtlindjet është reflektuar edhe në kulturën popullore. Në vitin 2023, gjigandi i lodrave “Mattel” krijoi një kukull Barbie të frymëzuar nga Carey, e veshur me fustanin festiv që këngëtarja mban në videoklipin e dytë të këngës “All I Want for Christmas Is You”.