KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Ражон

Израелска компанија и Србија планираат да произведуваат дронови што „следат и избираат цели“

Израелска компанија и Србија планираат да произведуваат дронови што „следат и избираат цели“

“Ju gjurmon, ju ndjek pas dhe zgjedh objektivin” – me këto fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i përshkroi dronët që planifikohen të prodhohen në këtë shtet në bashkëpunim me kompaninë izraelite, Elbit Systems.

Vuçiq zbuloi edhe më shumë detaje, duke thënë se Serbia do të ketë gjysmën e pronësisë në kompaninë e përbashkët, e cila, sipas tij, duhet të nisë punën në shtator.

Megjithatë, kompania në të cilën Elbit do të jetë bashkëpronare, dhe e cila është e regjistruar për prodhimin e armatimit, ende nuk është regjistruar, tregojnë të dhënat publike të regjistrit të bizneseve.

Për shkak të një hetimi mbi veprime korruptive, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) vitin e kaluar përkohësisht ndaloi blerjet e teknologjisë së Elbit-it, ndërsa partneri i kompanisë izraelite në Serbi pritet të jetë kompania shtetërore Jugoimport-SDPR, kompani ombrellë e industrisë serbe të mbrojtjes.

Kjo kompani nuk iu përgjigj pyetjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) lidhur me fillimin e prodhimit të dronëve izraelitë dhe detajet e bashkëpunimit të paralajmëruar.

As kompania Elbit Systems nuk iu përgjigj pyetjes lidhur me marrëveshjen me industrinë serbe të mbrojtjes.

REL-i nuk mori përgjigje as nga NATO-ja.

Ardhja e Elbit-it në Serbi si pjesë e strategjisë ushtarake të Izraelit

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Studimet e Paqes (SIPRI), kompania Elbit Systems renditet e 25-ta në listën e 100 prodhuesve më të mëdhenj të armëve në botë.

Kobi Michael, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, konsideron se zhvendosja e një pjese të prodhimit të Elbit-it në Serbi është pjesë e një strategjie më të gjerë, jo vetëm të kësaj kompanie, por edhe të forcave të mbrojtjes së Izraelit.

“Është biznes, por nuk është vetëm biznes. Është një lloj pozicioni rezervë që Izraeli po ndërton në rast se gjatë luftës [kundër organizatës së shpallur terroriste, Hamas] shfaqen probleme me furnizimin e vazhdueshëm”, tha Michael për REL-in.

Se bëhet fjalë për krijimin e një pozicioni që i mundëson Elbit-it furnizim të sigurt të blerësve, mendon edhe analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirko Dautoviq.

Ai thekson se bëhet fjalë për një kompani private që bashkëpunon ngushtë me shtetin e Izraelit, dhe që tashmë ka kapacitete prodhuese në Evropë, SHBA, Kanada dhe Indi.

“Në disa vende, për shembull, fabrikat e Elbit-it në Britaninë e Madhe janë përballur me sulme nga aktivistë që kundërshtojnë luftën në Gaza, dhe është çështje kohe se kur në këto demokraci perëndimore do të vijnë në pushtet parti që nuk do të kenë mirëkuptim për Izraelin dhe që potencialisht mund t’i kufizojnë investimet izraelite”, thotë Dautoviq për REL-in.

Ai shton se, nga ana tjetër, janë shtete si Serbia, të cilat i hapin dyert gjerësisht për investimet e huaja, përfshirë edhe ato që shoqërohen me polemika, siç është investimi i Elbit-it.

Në një raport të përfaqësueses së lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, të publikuar në qershor 2025, Elbit është cilësuar si “një nga kompanitë që përfiton më së shumti nga gjenocidi në Gaza”.

Në korrik 2025, sipas deklarimeve të kompanisë Elbit, NATO nisi një hetim të brendshëm ndaj saj dhe përkohësisht e pezulloi nga pjesëmarrja në tenderët e rinj.

Kompania tha se NATO nuk kishte dhënë arsyet e hetimit, ndërsa portalet evropiane të gazetarisë hulumtuese raportuan se blerjet nga Elbit ishin pezulluar për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku dhe për çfarë qëllimesh do të prodhohen dronët izraelitë, në bazë të cilës marrëveshje do të themelohet kompania e përbashkët, dhe çfarë parasheh marrëveshja sa i përket financimit të prodhimit.

Detajet më të shumta për publikun i bëri të ditura Aleksandar Vuçiq.

Si i përshkroi Vuçiq dronët?

“Diçka e tillë hyn përmes dritares në një shtëpi, ju gjurmon, ju ndjek pas dhe zgjedh objektivin”.

Kështu Aleksandar Vuçiq, në qershor, në poligonin ushtarak Pasuljanske Livade, 200 kilometra në jug të Beogradit, e përshkroi dronin luftarak izraelit “LANIUS-X”, duke njoftuar se prodhimi i tij në Serbi do të niste “për disa ditë”.

Dy muaj më vonë, ai dha një afat të ri.

“Për rreth 20 ditë”, tha Vuçiq më 19 gusht, dhe shtoi se bëhet fjalë për disa nga “dronët më modernë në botë”, të cilët do të kushtojnë rreth 30.000 euro për copë dhe do të përfaqësojnë “një forcë serioze”.

LANIUS-X, i ashtuquajturi dron vetëvrasës, prodhimin e të cilit në Serbi e ka paralajmëruar Vuçiq, është pjesë e gjeneratës së re të sistemeve autonome luftarake të kompanisë izraelite.

Çfarë janë dronët LANIUS-X?

Ata përdoren për zbulim dhe sulm, ndërsa Elbit Systems i përshkruan në faqen e saj si “sistem municioni shumë të manovrueshëm, i bazuar në një dron”.

Sistemi përdor sensorë, navigim autonom dhe algoritme për njohjen e mjedisit, ndërsa mund të bartë ngarkesë vdekjeprurëse ose jovdekjeprurëse.

Ai është i destinuar kryesisht për operacione luftarake urbane, veçanërisht në situata kur ushtarët duhet të kontrollojnë ndërtesa, tunele dhe hapësira të mbyllura.

Ndërsa Elbit Systems thotë se çdo përdorim i dronit kërkon konfirmimin e operatorit, organizata të caktuara për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se sisteme të tilla ngrenë pyetjen se ku qëndron kufiri mes vendimmarrjes njerëzore dhe automatizimit të përdorimit të forcës.

Koalicioni ndërkombëtar prej më shumë se 300 organizatash joqeveritare nga mbi 70 shtete, “Stop Killer Robots”, iu drejtua në vitin 2023 Këshillit të Përhershëm të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), duke shprehur shqetësim lidhur me prodhimin e dronëve për të cilët, sipas tyre, nuk është e qartë se si bëjnë dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve apo mes luftëtarëve aktivë dhe atyre që nuk marrin më pjesë në luftime.

“Armët autonome nuk na ‘shohin’ si qenie njerëzore. Në vend të kësaj, makina na regjistron si një grup pikash të dhënash. Nëse këto informacione përputhen me profilin e objektivit ose korrespondojnë me karakteristikat e tij, sistemi i armatimit do të përdorë forcën”, tha Catherine Connolly, përfaqësuese e fushatës “Stop Killer Robots”.

Përballë pretendimeve të Elbit-it se droni nuk e merr vetë vendimin për vrasje dhe se ekziston konfirmimi njerëzor para përdorimit të forcës vdekjeprurëse, përfaqësuesit e kësaj organizate theksuan se edhe sistemet me miratim njerëzor mund të paraqesin problem nëse algoritmet ndikojnë në atë se kë do të shohë operatori si objektiv ose kërcënim.

Çfarë dihet dhe çfarë nuk dihet për fabrikën e dronëve?

Historia e prodhimit të këtyre dronëve në Serbi filloi që në prill, kur Vuçiq foli për themelimin e një kompanie të përbashkët me partnerin izraelit.

“Do ta bëjmë së bashku, do të jetë gjysmë për gjysmë, 50-50, dhe do të kemi dronët më të mirë në këtë pjesë të botës”, tha ai atëherë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve (APR) dhe të vetë kompanisë, Jugoimport SDPR - kompani shtetërore që pritet të jetë partneri i Elbit Systems, = gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka rritur ndjeshëm kapitalin, ndërsa në të njëjtën kohë është financuar përmes huamarrjes në tregun vendas.

Që nga viti 2025, Qeveria e Serbisë, përmes disa vendimeve, ka rritur kapitalin themelues të SDPR-së me rreth 100 milionë euro, ndërsa përmes emetimit të obligacioneve, SDPR në gusht 2026 mori mbi 180 milionë euro hua.

Këto zhvillime financiare përkojnë në kohë me planet e SDPR-së për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe me paralajmërimet për fabrikën e përbashkët të dronëve luftarakë me Elbit-in izraelit, por nga dokumentet e qasshme publikisht, për momentin nuk është e mundur të përcaktohet nëse fondet nga rritja e kapitalit apo obligacionet janë të destinuara për këtë projekt.

Presidenti i Serbisë më 19 gusht njoftoi se dronët do të prodhohen në territorin e komunës së Çukaricës në Beograd, por nuk specifikoi se për cilat objekte bëhet fjalë.

Në territorin e kësaj komune ndodhen disa ish-pajisje ushtarako-industriale që ose janë privatizuar, ose Ministria e Mbrojtjes më herët i kishte nxjerrë në shitje si prona të paluajtshme që nuk janë të nevojshme për funksionimin e Ushtrisë së Serbisë.

Në këtë komunë ndodhet edhe Instituti Teknik Ushtarak, institucion shkencor-kërkimor i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili merret me kërkime, projektim dhe zhvillim të armatimit dhe pajisjeve ushtarake dhe teknologjive të mbrojtjes.

Nga ky institucion ushtarak nuk iu përgjigjën REL-it nëse instituti do të jetë vendi ku do të prodhohen dronët izraelitë.

Analisti Mirko Dautoviq thotë për REL-in se, pavarësisht mungesës së transparencës rreth investimit të planifikuar, Serbia, ku deri më tani kanë dominuar investimet në punë me kualifikim të ulët, me këtë po fiton një investim të rëndësishëm në teknologji të larta.

“Kjo mund të tërheqë investitorë të tjerë që mund të mendojnë: ‘Aha, kjo tani po zhvillohet në Serbi, pse të mos investojmë edhe ne?’ Së dyti, këta dronë të Elbit-it do të sjellin para dhe potencialisht do të forcojnë forcat ajrore të Serbisë. E gjithë bota po armatoset, ndërsa dronët dhe raketat balistike po bëhen pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e armatimit”, përfundon Dautoviq.

Çfarë dihet për kompaninë Elbit Systems?

Elbit Systems është kompania më e madhe private izraelite e mbrojtjes, me seli në Haifa, në veri të Izraelit, me të ardhura vjetore prej gati shtatë miliardë dollarësh dhe me një portofol që përfshin dronë, sisteme autonome dhe municion preciz.

Kompania është një nga eksportuesit më të rëndësishëm të teknologjisë ushtarake izraelite, por gjithashtu është përballur me kritika ndërkombëtare për shkak të përdorimit të sistemeve të saj në operacionet ushtarake izraelite në Gaza.

Sipas të dhënave nga raporti i fundit financiar i publikuar në faqen e kompanisë, vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2026 Elbit raportoi të ardhura prej 2.29 miliardë dollarësh, 16 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

“Që nga fillimi i luftës dhe përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme, kompania Elbit Systems ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe të konsiderueshme të kërkesës për produktet e saj”, thuhet në raportin e kompanisë, e cila vlerëson se rritja e porosive do të vazhdojë.

Sipas të dhënave në raport, më shumë se 30 për qind të të ardhurave Elbit i realizon nga ushtria izraelite, ndërsa vendet e kontinentit evropian janë importuesit e dytë më të mëdhenj të armëve të saj.

Në vendin e tretë është SHBA-ja.

Me kë bashkëpunon Elbit në Evropë dhe në Ballkan?
Elbit Systems ka një rrjet të gjerë biznesi në Evropë, përfshirë degë dhe kapacitete prodhuese në disa vende, ndër to Gjermania, Britania e Madhe dhe Rumania.

Në Rumani, sipas të dhënave të vetë kompanisë, ajo ka shtatë objekte prodhuese, përfshirë një fabrikë për sisteme pa pilot.

Programi i ri më i rëndësishëm i prodhimit është Watchkeeper X, një sistem taktik pa pilot për zbulim dhe mbikëqyrje.

Rumania në dhjetor 2022 nënshkroi me Elbit-in një marrëveshje kornizë me vlerë rreth 410 milionë dollarë për shtatë sisteme Watchkeeper X gjatë pesë vjetëve, ndërsa një fabrikë e re për prodhimin, testimin dhe mirëmbajtjen e këtyre sistemeve u hap në prill 2026 në Kitila, pranë Bukureshtit.

Në prill 2025, kompania shtetërore shqiptare për industrinë ushtarake KAYO dhe Elbit Systems nënshkruan marrëveshje për rikonstruktimin e akademisë së aviacionit në Vlorë, ndërsa në shtator Qeveria e Shqipërisë miratoi një marrëveshje kornizë me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit për bashkëpunim në fushën e kapaciteteve të mbrojtjes.

Prodhimi i parë i një droni të ri luftarak në Evropë

Serbia aktualisht zhvillon dhe prodhon disa sisteme vendëse pa pilot.

Dronët “Komarac” në disa variante, “Vrabac” dhe “Osica” janë zhvilluar në Institutin Teknik Ushtarak (VTI), në bashkëpunim me industrinë lokale të mbrojtjes.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave publike të kompanisë, droni LANIUS-X, për të cilin presidenti i Serbisë pretendon se do të prodhohet në Serbi, deri më tani ka qenë i lidhur me kapacitetet prodhuese të Elbit-it në Izrael, pra nuk ka të dhëna për prodhimin e tij jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Studimet e Paqes, Serbia gjatë viteve 2022–2024, përveç dronit LANIUS-X, ka blerë nga Izraeli edhe sisteme të avancuara artilerie PULS, dronë luftarakë pa pilot Hermes 900, municion endacak SkyStriker dhe radarë me rreze të shkurtër RPS-42.

Siç ka raportuar më herët REL, vetëm gjatë vitit 2024 Ministria e Tregtisë lëshoi dy leje për importimin e pajisjeve ushtarake të kompanisë Elbit, me vlerë mbi 700.000 dollarë.

Për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, këto pajisje u importuan nga kompania Romax-trade, e cila, sipas një hulumtimi të mëhershëm të REL-it, ishte furnizuese edhe e topit zanor, përkatësisht pajisjes LRAD, për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në gusht 2025, mediat izraelite raportuan se Serbia kishte lidhur me Elbit-in një kontratë për blerjen e armatimit dhe pajisjeve ushtarake të sofistikuara me vlerë 1.64 miliardë dollarë.

Autoritetet në Beograd nuk e konfirmuan dhe as nuk e mohuan këtë.

Ministritë e Mbrojtjes së Serbisë dhe Izraelit më 29 prill të këtij viti nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave të klasifikuara në fushën e mbrojtjes.

Marrëveshja, e cila sipas zyrtarëve serbë u iniciua nga pala izraelite, hyri në fuqi para se deputetët e Kuvendit të Serbisë të votonin për ratifikimin e saj.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, komisioni parlamentar për mbrojtjen dha më 29 prill pëlqimin për zbatimin e përkohshëm të saj deri në hyrjen zyrtare në fuqi.

Kjo është e mundur sipas ligjit, nëse Qeveria si arsye paraqet nevojën për zbatim urgjent.

Në pyetjet e përfaqësuesve të opozitës se pse po insistohet në procedura urgjente, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, tha në mbledhjen e komisionit se zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë hyrjen sa më të hershme në fuqi të kontratave për “pajisjen me armatim dhe përmirësimin e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë së Serbisë”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse kjo kishte të bënte me fabrikën e paralajmëruar të dronëve.

Paralelisht me importin, është rritur ndjeshëm edhe eksporti i armatimit serb në Izrael.

Sipas të dhënave të gazetës izraelite Haaretz, eksporti i armëve nga Serbia në Izrael është rritur pothuajse 40-fish gjatë dy vjetëve të fundit, nga tre në 113 milionë euro.

Kobi Michael, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, konsideron se importi i armëve nga Serbia ka kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Jerusalemit dhe Beogradit më shumë se kurrë më parë.

“Serbia është shumë pranë Izraelit dhe e ka ndihmuar Izraelin gjatë ditëve të vështira të luftës. Ka një bashkëpunim gjithnjë e më të thellë mes dy industrive të sigurisë, përkatësisht të mbrojtjes”, thotë Michael.

Analisti Mirko Dautoviq e sheh këtë bashkëpunim si pjesë të politikës aktuale të jashtme të Serbisë.

“Serbia nuk ka problem të bashkëpunojë me askënd, gjë që shihet më së miri në shembullin e marrëdhënieve me Ukrainën dhe Rusinë. Serbia dërgon përfaqësues në varrimin e ajatollahut Ali Khamenei, ndërsa në të njëjtën kohë nënshkruan marrëveshje të tilla me Izraelin. Pra, Serbia do të vazhdojë të luajë lojën e saj oportuniste për aq kohë sa Partia Përparimtare Serbe të jetë në pushtet, e me gjasë edhe pas saj”, vlerëson Dautoviq.

Serbia, pas udhëzimeve të presidentit Aleksandar Vuçiq, në fund të qershorit 2025 pezulloi eksportin e armatimit, në kohën e konfliktit izraelito-iranian dhe akuzave të shpeshta nga Moska se përmes ndërmjetësve po eksportonte municion në Ukrainë.

Megjithatë, sipas informacioneve të konfirmuara për REL-in nga dy fabrika shtetërore të armëve, që nga shkurti 2026 eksporti jashtë vendit është rikthyer.

Që atëherë e deri në fund të qershorit, REL ka identifikuar të paktën 15 fluturime të avionëve transportues në linjën Izrael–Serbi–Izrael.

Nga Beogradi, këta avionë kanë ateruar në bazën ajrore ushtarake Nevatim, pranë Ber Shevës.

Kjo bazë ajrore ka qenë disa herë në shënjestër të sulmeve nga kundërshtarët e Izraelit që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.

Të dhëna të sakta për atë se çfarë lloj armatimi dhe pajisjesh ushtarake dhe në çfarë sasie Serbia ka eksportuar në Izrael dhe në shtete të tjera nuk janë publikisht të qasshme.

Lejet për eksportin e armëve i lëshon Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Megjithatë, kjo ministri vitet e fundit nuk publikon në faqen e saj raporte vjetore për lejet e lëshuara.