KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
ВЕЧЕРНИ ВЕСТИ

Тензии и хаос во албанскиот парламент, Социјалистичката партија бара исклучување на Бериша

Собрание на Албанија

Me tensione mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës është shoqëruar edhe seanca e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren, goditën tavolinat dhe kundërshtuan ndërprerjen e fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha. Pavarësisht tensioneve dhe ndërprerjeve, Kuvendi vazhdoi punën, ndërsa kryetari Niko Peleshi përjashtoi gjashtë deputetë opozitarë nga seanca

Edhe seanca e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë u karakterizua nga tensionet dhe revolta e deputetëve të Partisë Demokratike.

Me nisjen e seancës, ata u ngritën në këmbë, duke goditur tavolinat dhe duke mbajtur në duar fotografi të protestuesve.

Pavarësisht tensioneve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vazhdoi të lexonte pikat e rendit të ditës dhe t’i hidhte ato në votim.

Fjalimi i kreut të PD-së, Sali Berisha, u ndërpre pasi ai bëri thirrje për dhunë kundër qeverisë.

Ky veprim i revoltoi edhe më shumë deputetët opozitarë, duke bërë që seanca të ndërpritej për 10 minuta.

“U përdorën mjetet më të rënda në protestë, u thyen kafka. Këta parlamentarë që shihni këtu, këta janë më kriminelë sesa ata që çajnë kafka, thyejnë kocka”, tha Berisha.

Pas rikthimit në Kuvend, tensionet vazhduan. Deputetët opozitarë kundërshtuan ndërprerjen e fjalimit të Berishës, duke bërë që seanca të ndërpritej sërish, derisa të lirohej foltorja e bllokuar nga deputetët e PD-së.

Seanca rifilloi me praninë edhe të kryeministrit Edi Rama.

Por me propozim të shefit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballës, kuvendi vendosi që për pikat e rendit të ditës të mos ketë debat, por të kalohet direkt me votimin e  tyre.

Pas tensioneve, kryetari i Kuvendit përjashtoi gjashtë deputetë të opozitës nga seanca.

Pavarësisht tensioneve, kryeparlamentari Peleshi vazhdoi me votimin e pikave të rendit të ditës.

Në fund, kryetari i Kuvendit arriti t’i kalonte në votim të 18 pikat e rendit të ditës.

Kryeministri Edi Rama dhe deputetja Belinda Balluku morën pjesë në seancë vetëm për të votuar Projektligjin për Bankën e Shqipërisë, i cili kërkonte 84 vota. Pas miratimit të tij, të dy u larguan nga seanca.

Partia Socialiste ka bërë kërkesë për marrjen e masave disiplinore ndaj 7 deputetëve të Partisë Demokratike, pas seancës plenare të shoqëruar me tensione të larta.

Sipas kërkesës së paraqitur për kreun e PD-së, Sali Berisha, kërkohet masë disiplinore me 10 ditë përjashtim. Ndërkohë, për gjashtë deputetët e tjerë të opozitës, kërkesa parashikon një masë më të ashpër, prej 60 ditësh përjashtim.

Ndërkohë, protestat e studentëve kanë vazhduar edhe në ditën e 17-të. Por, ndryshe nga ditët e para, protestat e fundit kanë qenë të qeta.