KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
колона

Политички турист

Rama erdhi në Prishtinë si bast i madh i LDK-së. Si kryetar i Prishtinës ka arritur ta ndërtojë një PR shumë të mirë, se gjithë ditën i paraqet “sukseset” e punës së tij me video e fotografi. Po të mos jetonim në Prishtinë, mbase edhe do të besonim se po bën mrekulli. Por realiteti është i hidhur – hapja e një duzine frontesh njëkohësisht është kaos i planifikuar për ta humbur evidencën e prokurimit, punëve e projekteve që gjithnjë përfundojnë në formë renderi me detaje që nuk përkojnë me gjendjen reale

Ka gati tri vjet që një rrugë, që dikur ka qenë kryesore, është mbyllur për qarkullim dhe ka mbi dy vjet që ka nisur zbatimi i një projekti të cilin nuk e pamë kurrë komplet dhe për të cilin e kuptuam, atëherë, se do të kushtonte 18.6 milionë euro.

Tabelën për nisjen e punëve kishin vendosur ta qitnin një ditë të shtunë që qëlloi të ishte 8 marsi – pra gjithsesi në rrugë kishte më shumë burra sesa gra – në ndjekje të buqetave të luleve që do t’i dhuronin atë ditë.

E pashë tabelën dhe e shkrova një status në FB që nuk u mirëprit nga përkrahësit e kryetarit, siç edhe do të pritej, për shkak se projektin e quajta maskarallëk, duke e ditur se kishte probleme me leje dhe se kishte një vendim gjyqësor që e vendoste masën e përkohshme e që e prekte njërën pjesë të projektit.

Atë që nuk e dija është se projekti parashihte ndërtimin e dyqaneve mu para ndërtesës së Radios dhe të Rektoratit. Atë do ta merrja vesh në çastin kur do të ndërhynte Inspektorati i Trashëgimisë dhe do t’i ndërpriste punët.

Atëbotë shkrova:

“Komuna e renderave, e “arkitektit” multimilionësh të qytetit, të projekteve të nisura, por jo edhe të bitisura, të tenderëve milionësh për 300-400 metra “shesh”, e megalomanisë, pavarësisht që shkel ligjin dhe një vendim gjyqësor dhe ndërhyn drejtpërdrejt në pronën private dhe atë shoqërore e që nuk është komunale - se kështu iu ka tekë kryetarit.

D.m.th, sot ditë e shtunë, pra ditë jo pune, dalin në terren dy kamionë, e vendosin një shenjë dhe e rrethojnë rrugën, për t’ia nisur edhe një “projekti grandioz” - atij të betonimit të qendrës, veç pse ashtu ka vendosur një turist politik, i sjellë nga institucionalistët, që ia panë sherrin në zgjedhjet qendrore.

18 milionë të parave tona janë paraparë për maskarallëkun e radhës - mbase edhe me idenë që do të dalin pengesa juridike rrugës. Me rëndësi kontrata është lidhur, e pasojat e një pezullimi eventual punësh, do t’i bartin qytetarët...”

* * *

Dje, nga zori, u detyrova të dilja në gjysmë të ditës (derisa të nxehtit ngufaste). Shtegu më çoi nga “Perandori Justinian”, rruga e ngushtë, e dikurshme, që kishte “strehuar” kafiqat e parë në Prishtinë, dhe që kishte pasur një varg dyqanesh montazhi nën administrimin e Ndërmarrjes (së atëhershme) Banesore e që çon në Pejton.

Dyqanet e NPB-së nuk janë qëmoti. Po tash janë zëvendësuar me një varg dyqanesh të mbështetura për murin mbajtës të katedrales, në edhe një manifestim komercializimi të tempujve fetarë, në Prishtinë sidomos.

Më kujtohet gjatë kohës së represionit e më vonë edhe luftës, në fshatin Ramjan të Vitisë më kishte rënë ta shihja sesi pjesa e prapme e xhamisë së fshatit (e ndërtuar me vetëkontribut) ishte adaptuar dhe dhënë në shfrytëzim shoqatës “Nëna Tereza”, për ambulancë.

Në Ramjan nuk kam qenë moti, pra edhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me ambulancën në xhami, por e mbaj mend si një veprim shumë fisnik që edhe pas 30 e sa vjetësh e kujtoj me shumë simpati dhe respekt.

Por te “Katër llullat” e Prishtinës më bie shpesh hisja të shkoj, dhe ende nuk e kuptoj se si është lejuar hapja e një supermarketi në themelet e xhamisë.

Ashtu siç nuk po i kuptoj dyqanet e ngjitura për katedralen...

Nejse, me gjasë kjo do të jetë një filozofi që e tejkalon kapacitetit tim të nxënies.

Po të kthehem te “Justiniani”. Ajo rruga mbase i ka nja 200 metra deri te nënkalimi. Çka me pa? Një bazament nja 15-20 centimetrash betoni, prej fillimit deri në fund të rrugës, me disa “oaza” ovale edhe ca hapje katrore për mbjellje drurësh, e këto full zhavorr.

Pra, në stilin përparimian: “full beton”, mbi të cilin do të vendosen pllaka (nuk e di çfarë, por e di që në rr. “Rexhep Luci” kanë qenë paraparë që të vinin nga Italia dhe në fund dolën të ishin Made in Malisheva).

Sidoqoftë, kalimi mbi atë pjesë të shtruar të “sheshit” (se të mos harrojmë se në Prishtinë cilëndo rrugë ta zgjedhësh mund ta bësh shesh milionësh) ishe si të ecje mbi një resho të zgjatur prej nga përhapej i nxehti edhe më shumë.

Nuk e besoj se duhet pasur shumë kapacitet nxënieje për të konstatuar se kur ke beton e s’ke gjelbërim ajri nxehet edhe prej dyshemesë.

Ndoshta e kanë paraparë edhe air/condition për këtë projekt, duke e marrë parasysh çmimin.

* * *

Tash, përderisa shtrohej ende beton andej kah katedralja, javën e shkuar hyri ekskavatori edhe te BKUK-ja, për t’i hequr kubëzat e betonit. Dhe çka bëri vakia? Inspektorati sërish i ndërpreu punët për shkak se Komuna nuk ka leje për intervenim buzë Bibliotekës që është objekt nën mbrojtje të përhershme.

Pra, Komunës iu deshën 18 muaj për të hequr dorë nga dyqanet që kurrë nuk na i prezantoi si pjesë të projektit, e që besoj ngërthejnë një kosto të madhe ndërtimore. Pra, hoqi dorë nga një pjesë e projektit, të cilin e nisi pa i marrë lejet e nevojshme nga institucionet shtetërore të autorizuara sipas ligjit dhe të cilat që nga fillimi i ka akuzuar për bllokadë dhe pengesë për “transformimin” e Prishtinës. Normalisht, ndryshimi i projektit do të duhej të kishte edhe ndikim në zbritjen e çmimit të tij. Të shohim nëse do të jetë kështu.

E problemi me pjesën te Biblioteka, së cilës patjetër duhet gjetur zgjidhje për shkak të rëndësisë monumentale që ka – dhe kjo është çështje që nuk do të duhej të diskutohej -- është se një pjesë e parcelave në kampusin universitar si dhe të ish-Radio Prishtinës dhe Rektoratit të UP-së, sipas dokumenteve të kadastrës, nuk janë pronë komunale. Pra, logjikisht, nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje në to pa pëlqimin e titullarëve.

E lejet nga titullarët nuk janë kërkuar, ashtu siç nuk i ka marrë as lejet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e monumenteve.

* * *

Ky projekt nuk është i vetmi që ka telashe. Dikush mund t’i quajë procedurale, por në esencë kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit (që duket të jetë e qëllimshme). Dhe problemi është se projektet infrastrukturore që jo domosdo na e lehtësojnë jetesën në kryeqytet, shndërrohen në luftë politike dhe arenë akuzash se ky ose ai po bllokon këtë apo atë projekt.

Ndërkohë, qyteti kurrë më i përlyet nuk ka qenë. Në vitin e pestë të mandatit të Ramës si kryetar i Prishtinës, qyteti ka marrë formën e një deponie të madhe bërlloku, i cili hidhet gjithandej dhe nuk arrin të mblidhet as për ta parandaluar kundërmimin e padurueshëm në temperatura kaq të larta e as invadimin e brejtësve gjithandej.

Dhe përderisa një kusht bazik, siç është grumbullimi i mbeturinave, nuk përmbushet dhe një shërbim i tillë nuk ofrohet në formë të rregullt, kryetari i Prishtinës gjen kohë të merret me “politikën e lartë”.

Rama shkruan: “Izolim. Sanksione. Humbje fondesh. Mbyllje fabrikash. Ky është bilanci i një politike që u shit si ‘patriotike”; “Amerikanëve, për projektin e gazit, iu përgjigjëm me arrogancë: ‘Ne kemi ide më të mirë’”; “1 shtatori pa libra”... e edhe ndonjë gjë tjetër. Porse nuk pamë të ketë shkruar çfarëdo për paralajmërimin që ia bëri Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) se do të tërhiqet nga mbështetja në projektin 80.7 milionësh të ngrohjes qendrore, po qe se nuk sigurohen pëlqimet dhe lejet që kërkohen në procesin e realizimit.

Rama erdhi në Prishtinë si bast i madh i LDK-së. Si kryetar i Prishtinës ka arritur ta ndërtojë një PR shumë të mirë, se gjithë ditën i paraqet “sukseset” e punës së tij me video e fotografi. Po të mos jetonim në Prishtinë, mbase edhe do të besonim se po bën mrekulli. Por realiteti është i hidhur – hapja e një duzine frontesh njëkohësisht është kaos i planifikuar për ta humbur evidencën e prokurimit, punëve e projekteve, që gjithnjë përfundojnë në formë renderi me detaje që nuk përkojnë me gjendjen reale.

I fitoi zgjedhjet për së dyti, dhe për këtë, u detyrua ta ndajë pushtetin me partitë që e përkrahën. Por fakti që e mban edhe një mandat për ta qeverisur Prishtinën, nuk ia heq epitetin e turistit politik.

Prishtinën duhet dashur përtej renderave, pisllëkut, kaosit urban e trafikut të ngufatur.

[заштитена по е-пошта]