Gavin Guffey ishte 17 vjeç kur u bë shënjestër e një personi që e shantazhoi me fotografi intime në Instagram. Babai i tij, Brandon, prej katër vjetësh po lufton për drejtësi dhe kërkon që platformat e rrjeteve sociale të bëjnë më shumë për mbrojtjen e përdoruesve të rinj
Cilat ishin fjalët e fundit që Brandon Guffey i tha të birit, Gavin? Edhe katër vjet pas ngjarjes, ai ende mundohet ta kujtojë me siguri atë moment.
“Më mundon vazhdimisht ajo bisedë e fundit. Mendoj se i thashë: ‘Natën e mirë, shoku im. Të dua’, ndërsa ai m’u përgjigj: ‘Shihemi në mëngjes’. Shpresoj me gjithë zemër që kështu të ketë ndodhur. Por të vërtetën nuk do ta mësoj kurrë me siguri”, thotë ai.
Ngjarja ndodhi në korrik të vitit 2022, në Rock Hill të Karolinës së Jugut. Vetëm pak javë më parë, Guffey kishte fituar kandidimin e Partisë Republikane për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit. Atë mbrëmje kishte marrë pjesë në një aktivitet politik dhe u kthye në shtëpi pak para mesnatës.
Pjesa tjetër e familjes flinte, ndërsa Gavin, 17 vjeç, po luante videolojëra në dhomën e tij dhe bisedonte me miqtë përmes kufjeve. Ishin pushimet verore para fillimit të kolegjit. “Ai po kalonte një nga periudhat më të mira të jetës. Ndihej mirë me veten dhe mezi priste të fillonte kolegjin, me synimin për t’u bërë mësues arti”, kujton i ati.
Gjatë asaj mbrëmjeje, Gavin mori një kërkesë për miqësi në Instagram nga një profil me emrin BellaJanet28. Të dy kishin miq të përbashkët dhe Gavin mendonte se bëhej fjalë për një volejbolliste të një kolegji lokal. Biseda mes tyre nisi me një lojë me pyetje dhe sfida, por përfundoi në një rast shantazhi seksual në internet.
Gavin u bind të dërgonte fotografi intime. Më pas, personi që fshihej pas profilit i kërkoi para, duke e kërcënuar se do t’ua dërgonte fotografitë të gjithë kontakteve të tij.
Rreth orës 01:30, Guffey e pa të birin në korridor dhe shkëmbyen ato që do të ishin fjalët e fundit mes tyre. Pak çaste më vonë, ai dëgjoi një zhurmë të fortë që vinte nga banja dhe e gjeti Gavin të shtrirë në dysheme, pasi kishte qëlluar veten me armë. Kujtimet e asaj nate, gjaku dhe britmat e bashkëshortes vazhdojnë ta ndjekin edhe sot.
“Do ta ripërjetoj atë moment në mendje gjithë jetën. Është gdhendur përgjithmonë brenda meje”, thotë ai.
“Ligji i Gavinit”
Sot, Guffey është deputet në Karolinën e Jugut dhe një nga zërat kryesorë në luftën për sigurinë e fëmijëve në internet. Pas vdekjes së të birit, ai nisi një fushatë për të parandaluar raste të ngjashme. Një vit më vonë, në këtë shtet u miratua ligji i njohur si “Ligji i Gavinit”, që e cilëson shantazhin seksual si vepër penale dhe e bën të detyrueshëm informimin për këtë rrezik në shkolla.
Më pas, Guffey arriti të siguronte masa të tjera për mbrojtjen e të miturve në rrjetet sociale, përfshirë kërkesën për lejen e prindërve për përdoruesit nën 16 vjeç. Ai themeloi gjithashtu organizatën jofitimprurëse “Less Than 3”, e cila mbështet familjet e prekura dhe ndërgjegjëson të rinjtë për rreziqet në internet.
Tani, ai ka shkruar edhe një libër për përvojën e familjes së tij, me titull Tomorrow Needs You (“E nesërmja ka nevojë për ty”). Në të, Guffey flet hapur për dhimbjen dhe ndjenjën e fajit që e ka shoqëruar që nga vdekja e të birit.
Ai pyet veten nëse angazhimi i tij politik dhe presioni që shoqëronte familjen në atë periudhë mund të kenë ndikuar te Gavin. Kujton edhe një rast kur i biri ishte bërë viral në internet, pasi kishte publikuar një fotografi provokuese pranë makinës së basketbollistit LaMelo Ball. Guffey i kishte kërkuar të ishte më i kujdesshëm, duke i kujtuar se gjithçka që publikohet në internet mund të mbetet aty përgjithmonë.
Por ai ndiente se kishte dështuar edhe si baba. “Atë natë pyesja veten pse nuk mund të vinte tek unë. A kishte frikë të tregonte dobësitë e tij? M’u desh të përjetoja një tragjedi për të kuptuar se kisha vepruar gabim për shumë vite”, rrëfen ai.
Guffey mendon se mënyra si ishte rritur kishte ndikuar edhe në marrëdhënien me të birin. Në familjen dhe komunitetin e tij, djemtë mësoheshin të mos shfaqnin emocionet dhe të përballonin gjithçka pa u ankuar. Sot, ai beson se kjo mënyrë të menduari mund t’ua vështirësojë të rinjve kërkimin e ndihmës kur përballen me probleme.
Një tjetër peng i madh për të mbetet arma që Gavin përdori. Guffey e kishte marrë me vete në një udhëtim kampingu për mbrojtje, por më pas e kishte lënë në një raft të lartë, me qëllimin që ta siguronte më vonë në një vend të mbyllur. Pas tragjedisë, ai hoqi dorë nga armët.
“U përqendrova aq shumë te mbrojtja e familjes nga rreziqet që mund të vinin nga jashtë, sa nuk e kuptova rrezikun që mund të vinte nga brenda shtëpisë. Arma që kisha për të mbrojtur djalin tim, përfundoi duke u përdorur prej tij për t’i dhënë fund jetës”, thotë ai.
Në muajt e parë pas vdekjes së Gavinit, dhimbja ishte aq e madhe, sa Guffey e kishte të vështirë të përballonte edhe 15 minuta pa rënë emocionalisht. Në disa raste pinte aq shumë alkool, sa humbiste ndjenjat. Ishte djali tjetër, Coen, ai që i bëri të kuptonte se gjendja e tij po e lëndonte edhe familjen.
“Po përpiqesha të mpija dhimbjen. Nuk e kam hequr plotësisht alkoolin, por nuk e mbaj më në shtëpi. Kam mësuar se alkooli vetëm sa i përforcon emocionet që ndien në momentin kur fillon të pish”, thotë Guffey.
Biseda me Coen shënoi një pikë kthese për Guffeyn. Ai kuptoi se duhej të gjente forcën për të vazhduar, edhe për hir të dy djemve të tjerë. “E vetmja mënyrë për të përballuar gjithçka ishte të mendoja se dy djem po më shikonin për të kuptuar si po e përballoja dhimbjen. Edhe pa dashur, po u mësoja si të vepronin në situata të tilla”, thotë ai.
Mbështetja e komunitetit e ndihmoi shumë familjen. Që nga nata e tragjedisë, shtëpia e tyre u mbush me njerëz që sillnin ushqime, ndihmonin me punët e përditshme dhe kujdeseshin për djalin e vogël, Callahan. Mes tyre kishte edhe njerëz me bindje politike krejt të kundërta me të tijat.
“Vetëm kur përjeton një humbje të tillë e kupton sa të parëndësishme janë shumë nga gjërat për të cilat grindemi”, thotë Guffey.
Një tjetër mbështetje për të ishte takimi me miqtë e Gavinit. Dy ditë pas vdekjes së tij, ai i ftoi në një ambient komunitar, që të ndanin kujtimet për të. Guffey donte ta njihte të birin edhe përmes syve të miqve të tij.
Atëherë mësoi se Gavin shpesh dilte nga shtëpia në orën katër të mëngjesit jo për të shkuar në palestër, siç kishte menduar i ati, por për të marrë miqtë që kishin qëndruar jashtë deri vonë dhe kishin nevojë të ktheheshin në shtëpi. Ai kishte zbuluar gjithashtu se Gavin u dhuronte rrobat e tij miqve, madje edhe sendet e të atit. Këto histori i sollën pak gëzim mes dhimbjes.
Ndërkohë, telefoni i Gavinit i ndihmoi policinë të kuptonte se si kishte ndodhur shantazhi që e çoi të riun drejt vetëvrasjes. Fillimisht, Guffey mendoi të tërhiqej nga zgjedhjet dhe të përqendrohej te gjetja e personit që fshihej pas profilit BellaJanet28.
Instagrami e mbylli atë llogari pas një kërkese ligjore, por më pas u shfaq një profil tjetër, me të njëjtën fotografi dhe të njëjtët miq, me emrin BellaJanet30. Personi pas tij nisi të kontaktonte familjarët e Gavinit dhe t’u kërkonte para në këmbim të fotografive intime. Mesazhet u dërguan edhe te nëna e tij, Melissa, vëllai Coen dhe një kushëri 14-vjeçar.
Dy ditë para ditëlindjes së 18-të të Gavinit, më pak se një muaj pas vdekjes së tij, Guffey mori një mesazh nga ky profil: “A të thashë që djali yt u lut për jetën e tij?”, shoqëruar me një emoji që qeshte.
I zemëruar, ai iu përgjigj: “Do të të gjej. Do të të shkatërroj. Do të pendohesh për këtë”.

Misioni i Guffeyt
Në ato rrethana, vazhdimi i karrierës politike i dukej i pamundur. Guffey nuk ndihej më në gjendje të merrej me problemet e të tjerëve. Ai i tha bashkëshortes se do të tërhiqej, por Melissa e kundërshtoi.
“Absolutisht jo. Ti je një nga të paktët njerëz që mund të sjellin ndryshim. Shko dhe bëj gjithçka që mundesh për të shpëtuar Gavinin e radhës”, i tha ajo.
Ky u bë misioni i tij. Guffey nisi të përqendrohej te shantazhi seksual në internet, një krim që po prek gjithnjë e më shumë fëmijë dhe adoleshentë.
Ai kërkon gjithashtu që platformat e rrjeteve sociale të mbajnë përgjegjësi ligjore për përmbajtjen që shpërndajnë. Sipas tij, nëse platformat do të mund të paditeshin për dëmet që u shkaktojnë të miturve, do t’i jepnin më shumë rëndësi sigurisë dhe jo fitimit.
Hetimi për gjetjen e personit që dyshohet se shantazhoi Gavinin kërkoi shumë durim. FBI-ja dhe autoritetet e Karolinës së Jugut arritën të identifikonin gjurmë financiare që i ndihmuan të ndiqnin transaksionet e lidhura me llogarinë.
Në janar të vitit 2025, i dyshuari Hassanbunhussein Abolore Lawal u ekstradua nga Nigeria në Shtetet e Bashkuara. Guffey dhe Melissa morën pjesë në seancën e tij të parë gjyqësore në Columbia të Karolinës së Jugut. Ai u deklarua i pafajshëm për akuzat, që përfshijnë shfrytëzimin e një të mituri që çoi në vdekjen e tij, përndjekjen në internet dhe detyrimin përmes kërcënimeve. Seanca paraprake është caktuar për dhjetor.
Guffey thotë se vitet e fundit ka vënë re një ndryshim. Në fillim, vetëm adoleshentët që përballeshin me shantazhe i kërkonin ndihmë. Tani, gjithnjë e më shumë janë prindërit ata që e kontaktojnë, pasi fëmijët kanë gjetur guximin t’u tregojnë çfarë po ndodh.
Megjithatë, ai ndien se nuk bën kurrë mjaftueshëm. Angazhimin e vazhdueshëm e sheh si mënyrën e tij për ta përballuar humbjen.
“Dhimbja është si moti. Është gjithmonë mbi ty dhe duhet të mbash një çadër me vete në çdo kohë”, thotë ai.
Shumë njerëz e quajnë të fortë, por Guffey nuk e sheh kështu veten. Për të, gjithçka që ka bërë është një mënyrë për të mbijetuar pas humbjes.
“Kur vdiq Gavin, u betova se vdekja e tij nuk do të ishte e kotë. Deri ditën kur të vdes, misioni im do të jetë të bëj gjithçka që mundem që asnjë adoleshent tjetër të mos ndihet aq i bllokuar, i turpëruar dhe pa shpresë sa u ndie ai atë natë”, thotë Guffey.