KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Убиството на Зекај, Сијарина: Истражна комисија, стратегија на Владата за купување време

ll

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kritikuar institucionet e akterët politikë në vend për dështim në mbrojtjen e grave, ndërsa ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, e vrarë dy ditë më parë nga ish-kunati i saj. 

Sijarina ka vlerësuar se përkundër dështimeve institucionale, Qeveria po kërkon kohë shtesë për të hetuar një rast ku dështimet e shtetit, sipas saj, tashmë janë të evidentuara nga viktima. 

“Ajo që e pamë është që u themelua komisioni hetues që jep muaj për tu hetuar rasti. Kjo është strategji që Qeveria dhe institucionet që janë përgjegjëse zakonisht na harxhojnë kohën kritike me retorika të thata dhe kërkojnë t’i blejnë vetes kohë deri kur si qytetarë neutralizohemi dhe zmbrapsemi prej kërkesës sonë”, ka thënë ajo në Interaktiv.

Sijarina ka theksuar se themelimi i komisionit hetimor nga Kuvendi nuk është zgjidhje, ndërsa vendimin e deputetëve për ta bërë këtë gjë e ka quajtur populist. 

“Nuk është e rëndësishme (komisioni) përderisa Arlinda ka kallxu fije për pe se ku ka dështu shtetin. Pse i vyen shtetit me ia gjuajtur topin njëri-tjetrit dhe me kërkuar aq shumë kohë për ta thënë atë që e ka thënë Arlinda. Ajo ka treguar edhe njerëzit e përfshirë, i ka targetuar institucionet që e kanë neglizhuar. Nuk ka arsyetim të kërkohet aq shumë kohë. Kjo është lëvizje populiste”.

Sipas Sijarinës, blerja kohë përmes komisionit hetimor është përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet institucionale.   

“Të gjitha partitë politike morën turr dhe shkuan në Kuvend, e keqpërdorën foltoren, jo vetëm të na ofendojnë ne qytetarëve, por edhe Arlindën dhe çdo grua që sot është në varr sepse shteti ka dështuar t’i mbrojë”, theksoi ajo. 

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kuvendi i Kosovës me 67 vota për ka themeluar një komision i cili do të merret me hetimin e vrasjes së saj.