AUV-ja ka urdhëruar masa kufizuese ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së suxhukut të kompanisë “Buquku” pas konstatimit të ADN-së së pulës të padeklaruar në produktin “Suxhuk shtëpiak”; tërheqjen nga tregu të produktit “Mish i bluar gjedhi” të “AJH Foods” dhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit deri në përfundimin e verifikimeve; si dhe ka kthyer në kufi mbi 12 tonë kremra ushqimorë me yndyrë bimore dhe produkte djathi të importuara nga “Vizioni M.Z.I”
Резана Божлани
Alarm për sigurinë në ushqim është ngritur nga tri njoftime që gjatë ditës së enjte i ka bërë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
AUV ka urdhëruar masa kufizuese ndaj prodhimit dhe shpërndarjes së suxhukut të kompanisë “Buquku” pas konstatimit të ADN-së së pulës të padeklaruar në produktin “Suxhuk shtëpiak”; tërheqjen nga tregu të produktit “Mish i bluar gjedhi” të “AJH Foods” dhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit deri në përfundimin e verifikimeve; si dhe ka kthyer në kufi mbi 12 tonë kremra ushqimore me yndyrë bimore dhe produkte djathi të importuara nga “Vizioni M.Z.I”.
Në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë, cilësinë dhe autenticitetin e produkteve ushqimore, AUV-ja ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit “Buquku” SH.P.K., me seli në Pejë, ndonëse në deklaracionin e produktit figuronte vetëm mish dhe yndyrë lope.
“Mostra e produktit është marrë nga inspektorët e AUV-së dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Sipas rezultateve laboratorike, është konfirmuar prania e ADN-së së gjedhit dhe ADN-së së pulës”, thuhet në njoftim. “Rezultati laboratorik ngre dyshime për praninë e përbërësve me origjinë nga pula, të padeklaruar në produkt, përfshirë mundësinë e përdorimit të mishit të pulës të ndarë mekanikisht (MDM). Analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme do të përcaktojnë nëse është përdorur mish i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula”.
Në njoftimin e AUV-së është thënë se përdorimi i mundshëm i mishit të ndarë mekanikisht në produkte tradicionale si suxhuku shtëpiak kërkon vëmendje të veçantë për sigurinë ushqimore. Ky institucion ka bërë të ditur se procesi i ndarjes mekanike mund të ndikojë në strukturën e mishit dhe të rrisë ndjeshmërinë ndaj kontaminimit dhe shumimit të mikroorganizmave, veçanërisht në rastet kur nuk respektohen kushtet e higjienës, ruajtjes dhe përpunimit.
“Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët e AUV-së kanë realizuar kontroll zyrtar te operatori ekonomik. Sipas procesverbalit të inspektimit, janë bllokuar gjithsej 178 kg produkte, përkatësisht 120 kg suxhuk “kalorik” dhe 58 kg suxhuk shtëpiak. Njëkohësisht, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes”, thuhet në njoftim. “AUV-ja do të zgjerojë kontrollet zyrtare për të verifikuar përbërjen e të gjitha produkteve të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, përfshirë përdorimin eventual të mishit të ndarë mekanikisht, procesin teknologjik të prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe zinxhirin e ftohtë, përputhshmërinë me deklaracionet e produkteve, si dhe statusin dhe fushëveprimin e aprovimeve për aktivitetet e prodhimit dhe përpunimit”.
Sipas AUV-së, kontrollet do të përfshijnë edhe verifikimin e dokumentacionit të furnizimit, regjistrave të prodhimit, kushteve të fermentimit, tharjes dhe trajtimit termik, sipas natyrës së produkteve, si dhe analizat përkatëse laboratorike për identifikimin e rreziqeve të mundshme mikrobiologjike.
Sipas nenit 8 të Ligjit për Ushqim, mbrojtja e konsumatorëve përfshin parandalimin e praktikave mashtruese dhe falsifikimit të ushqimit. Operatorët ekonomikë janë përgjegjës për deklarimin e saktë të përbërjes, gjurmueshmërinë dhe respektimin e kërkesave të sigurisë ushqimore për produktet që vendosin në treg.
Edhe në një rast tjetër, AUV-ja ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Mish i bluar gjedhi”. Këtë e ka evidentuar tek operatori “AJH FOODS SH.P.K.”, me seli në Novobërdë, ndonëse në etiketimin e produktit të dokumentuar gjatë inspektimeve janë deklaruar vetëm mish gjedhi dhe yndyrë.
“Gjetja është konfirmuar nga analizat laboratorike të realizuara në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari”, thuhet në njoftim. “Prania e ADN-së së pulës në një produkt të tregtuar si “Mish i bluar gjedhi” ngre dyshime serioze për përdorimin e përbërësve me origjinë nga pula, të padeklaruar në produkt. Kjo mospërputhje e mundshme ndërmjet përbërjes faktike dhe deklarimit të produktit kërkon verifikimin e origjinës dhe autenticitetit të lëndëve të para. Rezultati laboratorik ngre gjithashtu dyshime për përdorimin eventual të mishit të pulës të ndarë mekanikisht (MDM/MNM). Gjatë kontrolleve zyrtare, inspektorët e AUV-së kanë evidentuar dokumentacion furnizimi për rreth 2.2 ton mish pule të ndarë mekanikisht, krahas furnizimeve me mish pule dhe mish gjedhi”.
AUV-ja ka bërë të ditur se operatori ekonomik ka kërkuar realizimin e një analize paralele për verifikimin e rezultateve laboratorike.
“AUV-ja do ta trajtojë këtë kërkesë në përputhje me procedurat ligjore dhe të drejtat e operatorit. Megjithatë, duke marrë parasysh rezultatin laboratorik dhe nevojën për verifikimin e përbërjes dhe sigurisë së produktit, AUV, në zbatim të parimit të kujdesit të përcaktuar në nenin 7 të Ligjit nr. 08/L-120 për Ushqim, ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produktit ‘Mish i bluar gjedhi’ dhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit të mëtejshëm deri në përfundimin e verifikimeve përkatëse. Këto masa janë parandaluese dhe nuk paragjykojnë rezultatet e analizës paralele apo përfundimet e procedurës së kontrollit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Sipas raportit të inspektimit, janë kthyer dhe izoluar në depon frigoriferike 77 kilogramë mish i bluar, ndërsa për lotin e analizuar fillimisht nuk është evidentuar kthim i produktit në depon e operatorit. AUV-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë verifikimin e gjurmueshmërisë dhe të sasive të produktit të shpërndara në treg.
“Në vijim, AUV do të përqendrojë kontrollet në verifikimin e përbërjes së produktit ‘Mish i bluar gjedhi’, origjinës së ADN-së së pulës, përdorimit eventual të mishit të ndarë mekanikisht dhe përputhshmërisë së përbërjes faktike me deklarimin në etiketë. Gjithashtu, do të verifikohet nëse operatori ka respektuar kushtet e parapara për aprovimin dhe përdorimin e mishit të ndarë mekanikisht në produktet përfundimtare të mishit, përfshirë kërkesat për higjienën, përpunimin, ruajtjen dhe kontrollin mikrobiologjik”, thuhet në njoftim.
Po të premten, AUV-ja ka bërë të ditur se në pikën e kontrollit kufitar në Han të Elezit, ka refuzuar hyrjen dhe ka urdhëruar kthimin në vendin e origjinës të dy ngarkesave me gjithsej 12,268 kilogramë produkte ushqimore, të importuara nga kompania “Vizioni M.Z.I.I SH.P.K.”, me seli në Preoc të Graçanicës. Produktet ishin prodhuar dhe eksportuar nga fabrika “AD Mlekara Tetovo”, nga Maqedonia e Veriut.
“Refuzimi i importit është bërë në zbatim të Vendimit të AUV-së nr. AUV.01/678/2026, të datës 06.11.2026, për ndalimin e importit të produkteve nga kjo fabrikë dhe largimin e saj nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport të produkteve ushqimore në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. “Ky vendim është marrë pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore dhe problemeve me higjienën e prodhimit, përfshirë rezultatet e pakënaqshme laboratorike për praninë e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar në ngarkesa të mëparshme”.
Ngarkesa e parë me 7,368 kilogramë përmbante produkte të llojeve Natura Delikates, Duble Cream Masterfood, Extra Delikates Aksion dhe Kravjo Sirenje. Ndërkaq, e dyta me 4,900 kilogramë përmbante produktet Natura Sharplaninska dhe Cream Extra Masterfood.
“Për të dyja ngarkesat, inspektori veterinar kufitar ka nxjerrë vendime zyrtare për refuzimin e importit dhe kthimin e produkteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim. “Asnjëra nga këto dy ngarkesa nuk është lejuar të hyjë në tregun e Republikës së Kosovës”.
AUV-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e ndalesës së importit nga ky prodhues, si dhe kontrollet dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produkteve të importuara më parë, për të identifikuar çdo produkt eventualisht jokonform që mund të jetë ende në treg.
Po ashtu, ky institucion ka theksuar se do të ndërmarrë masat përkatëse administrative dhe inspektuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rezultatet e kontrolleve zyrtare, si dhe do ta informojë publikun për çdo konstatim dhe masë të mëtejshme ndaj kompanive.