Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin përgjegjësinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare, si një projekt që nuk duhet humbur.
Lushaku-Sadriu ka thënë se nuk dëshiron të hyjë në detaje e të flasë se e kujt është përgjegjësia, por ajo shtoi se është një mundësi e artë. Tutje ajo theksoi se si projekt u mirëprit, madje kryeministri Albin Kurti në vizitën e tij në Paris edhe e promovoi, porse tani nuk po kuptohet e kujt është përgjegjësia për përmbushjen e kritereve.
“Pa dashur të hyj në detaje se kush kujt nuk i është përgjigjur dhe kush nuk po i plotëson kriteret, është e rëndësishme të thuhet që të rinjët tanë e meritojnë që sporti të ndërombëtarizohet, që institucionet tona të angazhohen tej mase për ta realizuar këtë ëndërr dhe për të mos e humbur një mundësi të tillë. Edhe politikanë tanë e kanë mirëpritur e promovuar, edhe kryeministri Kurti para 10 ditësh në Paris e kishte përmendur edhe kredinë, edhe Francën dhe rolin e saj që do ta ketë në Lojërat Mesdhetare, por tani nuk kuptohet vërtetë përgjegjësi e kujt është përmbushja e kritereve. Për neve është shumë e rëndësishme që të rinjve tanë të mos ua humbim këtë mundësi. U bëj thirrje të gjitha institucioneve t’iu dalin ballë me përgjegjësi këtij projekti dhe të mos ua humbin të rinjve tanë këtë mundësi të artë”, ka thënë Lushaku Sadriu.
Ajo ka përmendur që pikërisht sot është dashur të mbahej një takim në Athinë në të cilin do të definoheshin përgjegjësitë në kuadër të Lojërave Mesdhetare, por edhe ai takim është anuluar.
“Është koha për të folur sepse për papërgjegjësitë institucionale tw Kosovës, Kosova është duke rrezikuar të mos i organizojë ato lojëra. Një projekt i fituar me të drejtë për ta kthyer Kosovën në qendër turisitike, me shumë investime në salla sportive, në stadiume të reja, në qendra sportive që i mungojnë aq shumë Kosovës po rrezikojnë sot. Pikërisht sot është dashur të mbahej një takim në Athinë ku do të definoheshin përgjegjësitë përtej e edhe ai është anuluar. Prandaj edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ka ngritur shqetësime për institucionet tona që nuk kanë përmbushur obligimet. Këto obligime të papërmbushura kanë ndodhur për arsye të ndryshme, por është tërësisht e paarsyshme për të ikur nga përgjegjësia dhe për ta lënë një mudnësi të tilë të artë për Kosovën të papërmbushur”, ka theksuar Lushaku-Sadriu.