KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Керчели на плоштадот „Џорџ Буш“: Постојат аритметички несовпаѓања во договорот, тендерот требало да се откаже

111

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka treguar se ka siguruar kontratën online dhe po ashtu projektin për sheshin “Xhorxh Bush”. 

Kërçeli në një postim në Facebook ka treguar për disa prej gjetjeve që ka bërë. Ai ka thënë se në kontratë ka shpërputhje aritmetike dhe tenderi duhej të anulohej. 

“Në këtë kontratë ka shpërputhje aritmetike me çka do të duhej të anulohej tenderi, sipas ligjit në fuqi”, ka thënë Kërçeli.

Ai ka treguar se bazuar në ligjin nëse ka mospërputhje me çmimin total në formularin e tenderit dhe totalin në përshkrimin e çmimeve, oferta refuzohet. Ai ka thënë se sipas ligjit kufiri maksimal i gabimit aritmetik është 2 për qind. Por, ka thënë se me kontratën në sheshin “Xhorxh Bush” është kaluar ky kufi për 3.5 herë. 

“Gabimi aritmetik në këtë kontratë është prej 1 milionë e 279 mijë e 459 euro, apo 7.04 për qind”, tha Kërçeli. 

Ai ka thënë se kishte kërkuar qasje në dokumente zyrtare, por pas shtatë ditëve ende s’ka marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës, por ka arritur t’i gjejë dokumentet online.

Kërçeli po ashtu ka shpalosur një tabelë lidhur me produktet në kontratë dhe vlerën e tyre reale në treg. Po ashtu ka thënë se të njëjtat shkurre dekorative janë kontraktuar me çmime të ndryshme në kontratën e njëjtë. 

“Një shkurre dekorative nga Komuna e Prishtinës, produkti i njëjtë, është kontraktuar me tri çmime të ndryshme. Faqe 30 kërkesa për dy copë, 80 euro për copë...në faqen 64 ku sasia është rritur në 46 copë, çmimi është rritur 180 euro. Produkti i njëjtë në faqet 24, 35 dhe 43, sasia 191 copë, çmimi 215 euro për copë. Krejt kjo sasi Komunës së Prishtinës i ka kushtuar 49 mijë e 505 euro, e vlera reale në treg është 1171 euro”, tha Kërçeli. 

Ai ka thënë se për gjithë sasitë e shkurreve dekorative e gjelbërimit në sheshin “Xhorxh Bush”, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar në vlerë 883 mijë e 820 euro, e vlera reale në treg tha se është 167 mijë e 635 euro. 

Kërçeli po ashtu ka folur edhe lidhur me sasinë e armaturës të kontraktuar për sheshin “Xhorxh Bush”, e që tha se është 742 mijë e 100 kilogramë. 

Ai ka thënë se sipas një postimi të bërë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, armatura po vendoset në format 20 me 40, e duhej të vendosej me format 10 me 10. 

“Me këtë shtrirje të armaturës i bie që po shpenzohen 6 kilogramë për metër katrorë e jo 16 kilogramë për metër katrorë sa do të duhej sipas paramasës së kontratës. I bie që po vendosen 467 mijë e 687 kilogramë më pak, apo në vlerë monetare 654 mijë e 762 euro”, tha Kërçeli. 

Ai i ka bërë ftesë publike kryetarit të Prishtinës, që të marrin një detektor me qira e të dalin në sheshin të verifikojnë sa më pak armaturë po vendoset. 

“Po ashtu i bëjë thirrje Zyrës Kombëtare të Auditimit të bëjë ekspertizë me inxhinier të kualifikuar, mes përshkrimit teknik e paramasës së projektit”, tha Kërçeli.