KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Јашари: Штрајкот во КЕК може да ги намали капацитетите на турбините за 30 проценти

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka paralajmëruar se punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës mund të hyjnë në grevë nëse menaxhmenti dhe Bordi nuk i plotësojnë kërkesat e tyre për rritje pagash dhe pagën e 13-të.

Jashari ka thënë se shpreson që çështja të zgjidhet pa pasur nevojë për protesta, pasi sipas tij, nëse punëtorët dalin në protestë, greva do të jetë shumë afër.

Ai ka theksuar se sindikata nuk do të heqë dorë nga e drejta për grevë dhe se do t'i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për realizimin e kërkesave.

“Grevës nuk do t’i ikim për asnjë moment, vetëm do t’i shfrytëzojmë ato të drejta ligjore që i kemi dhe do të futemi në grevë. Po lutem që të reflektojë menaxhmenti dhe Bordi që të mos na lënë të hyjmë në grevë”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka paralajmëruar se një grevë në KEK mund të ketë pasoja në prodhimin e energjisë elektrike në vend. 

Sipas tij, në rast të ndërprerjes së punës, kapaciteti i turbinave mund të reduktohet ndjeshëm, duke funksionuar vetëm në rreth 30 për qind të kapacitetit, sa për të siguruar funksionimin e aseteve jetike të shtetit.

Ndërkaq, në divizionin e prodhimit të qymyrit, sipas Jasharit, puna do të ndërpritej tërësisht, ndërsa furnizimi do të vazhdonte përkohësisht nga rezervat në depo, të cilat ai tha se mund të zgjasin nga 15 ditë deri në një muaj.

“Greva sjell reduktimin minimal të energjisë elektrike të punës së turbinave. D.m.th. nëse turbina punon 100 për qind, bie në kapacitetin 30 për qind sa për asetet jetike të shtetit të Kosovës. Divizioni i prodhimit të qymyrit e ndal punën tërësisht vetëm furnizohet nga depot, që ajo është jetëshkurtër dhe zgjat 15 ditë apo një muaj. Kështu që Kosova përpos mungesës së prodhimit të një blloku të energjisë elektrike dhe blerjes së energjisë nga jashtë, të futet edhe në një krizë tjetër, të zvogëlimit të punëtorëve për shkak të mosplotësimit të kërkesave është një prej banaliteteve më të mëdha të menaxhimit të Korporatës Energjetike të Kosovës sepse KEK-u ka mjete të mjaftueshme për t’ia plotësuar këto kërkesa punëtorëve”, ka deklaruar ai.

Jashari ka bërë të ditur se gjatë takimit të realizuar me menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, kanë paraqitur argumentet për nevojën e përmirësimit të kushteve financiare të punëtorëve, por menaxhmenti nuk ka dhënë një përgjigje konkrete dhe as një afat për shqyrtimin e kërkesave.

Ai ka thënë se drejtuesit e KEK-ut kanë kërkuar kohë dhe kanë përmendur nevojën për mbështetje nga punëtorët, për shkak të investimeve dhe përpjekjeve për ta vënë në funksion edhe një bllok, por nuk kanë ofruar një qëndrim të qartë lidhur me kërkesat e sindikatës.

Jashari ka shtuar se pas takimit kishte pritur një përgjigje nga menaxhmenti, pasi kryeshefi, në praninë e Bordit, kishte shprehur gojarisht gatishmëri për të ndërmarrë veprime. Megjithatë, sipas tij, as të martën dhe as të mërkurën nuk kishte pasur përgjigje konkrete.

Përveç kërkesave financiare, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut ka ngritur shqetësimin edhe për mungesën e punëtorëve në këtë korporatë, veçanërisht në divizionin e prodhimit të qymyrit.

Ai ka thënë se në këtë divizion ka ekskavatorë që nuk mund të vihen në funksion për shkak të mungesës së elektricistëve dhe teknikëve të makinerisë.

Sipas Jasharit, gjatë katër vjetëve të fundit, afër 1 mijë punëtorë kanë dalë në pension, duke krijuar zbrazëti të konsiderueshme në kuadër të korporatës. Edhe pse një pjesë e tyre janë zëvendësuar me punëtorë të rinj, ai ka vlerësuar se mungesa vazhdon të jetë e madhe.

I pyetur për pretendimet rreth punësimeve me baza politike në KEK, Jashari ka thënë se sindikata nuk ka qenë e përfshirë në proceset e konkurseve dhe as në komisionet përzgjedhëse.

Ai ka deklaruar se sindikata nuk ka pasur përfaqësues apo vëzhgues në këto komisione dhe se, për këtë arsye, nuk ka pasur mundësi të vërejë parregullsi në proceset e punësimit.