Arbëri

Debat i ashpër për parkingjet, banorët kërkojnë të lirohen nga pagesa

Debat i ashpër e ka përcjellë dëgjimin publik për rregulloren për parkingje në Komunën e Prishtinës. Banorët rezidentë të lagjeve të qendrës, thanë se paguajnë tarifë, por parkingjet e tyre janë vazhdimisht të zëna nga vizitorët.

Me ankesa të banorëve të Prishtinës u karakterizua dita e dytë e debatit publik për rregulloren për parkingje.

Banorët po kërkojnë të mos paguajnë asnjë taksë, pasi që parkingjet para ndërtesave janë vazhdimisht të zëna nga vizitorët.

Rregulloren e re të parkingjeve e kundërshtoi edhe opozita në Prishtinë.

E kryetari Përparim Rama tha se në draftin final do të merren parasysh edhe ankesat e banorëve. Ai shtoi se me këto ndryshime banorët rezidentë do të kenë hapësirë për parking pas orës 16.

E derisa aktualisht qytetarët në vikend janë të liruar nga pagesa në parkingje publike, me draft-rregulloren e re parkingjet falas do të jenë vetëm të dielën.

Ndërkohë për parking duhet të paguajnë edhe veturat zyrtare të Qeverisë e ministrive, derisa të liruara janë veturat zyrtare të Komunës së Prishtinës, ato të përfaqësive diplomatike dhe personat me aftësi të kufizuar që janë nën përcjellje të shoqëruesit.

Pas diskutimit publik, draft-rregullorja do të dalë në Kuvend Komunal për votim.