Arbëri

Shërbimet e tatimit në objektin e Komunës në Arbëri, qytetarët ankohen për mungesë transporti

Me ndryshimet që po bëhen në administratë që nga ardhja e Përparim Ramës në krye të Prishtinës, shumë shpejt pritet që zyra e kryetarit të bëhet në objektin e ri të Komunës.

Siç ka mësuar KOHA, tashmë kanë filluar punimet në rregullimin e zyrës së kryetarit Rama.

Drejtori i Administratës, Bersant Beka, ka thënë se kryetari ka mundësi të pozicionohet edhe në Komunën e re, porse tradicionalisht zyra e kryetarit do të mbetet në Komunën e vjetër.

“Tradicionalisht zyra e kryetarit ka qenë këtu në objektin e vjetër, por kryetari, thënë ndryshe të gjitha zyrat janë të tij, tash do të shohim ndryshimet e reja, ndoshta do të pozicionohet edhe në Komunë të re, por tradicionalisht zyra e kryetarit mbetet këtu”, tha Beka.

E përveç kësaj, administrata tashmë ka bërë disa ndryshime.

Ka disa javë që ka filluar krijimi i zyrës për media në objektin e vjetër. Krahas kësaj, administrata e shërbimeve për qytetarë është zhvendosur vetëm në njërën anë të Komunës.

Por kohëve të fundit edhe këtu ka pasur ndryshime. Shërbimet e tatimit në pronë nga Komuna e vjetër janë zhvendosur në atë të renë.

Kjo ka bërë që qytetarët që gjithmonë i merrnin këto shërbime në objektin e vjetër, tani duhet të shkojnë në objektin e ri të Komunës.

Beka thotë se për momentin është menduar vetëm ky sektor të ndryshohet, për të tjerët nuk ka plane konkrete.

“Problemi ka qenë tek qarkullimi i qytetarëve të cilët është dashur të vijnë nga objekti i Komunës së re në Arbëri për të kryer disa shërbime këtu që pastaj të kthehen prapë lart për të vazhduar marrjen e disa dokumenteve. Ne e kemi parë të arsyeshme që sportelet e tatimit në pronë të shkojnë lart në Komunën e re dhe tash po funksionojnë shumë mirë dhe e kemi marrë një feed-back prej qytetarëve të cilët e kanë përqafuar këtë ndryshim. Ndërsa te sportelet ku kanë qenë sportelet e tatimit në pronë është funksionalizuar për zyrtarët e gjendjes civile, ku pastaj po mendojmë që disa nga zyrtarët të shpërndahen edhe nëpër bashkësitë lokale ku janë të funksionalizuara, apo thënë më mirë që nuk ka referent të gjendjes civile, por ka vetëm referent të bashkësisë lokale”, tha Beka.

Kjo po ua bën më të vështirë, pasi në “Arbëri”, ku edhe gjendet objekti i ri i Komunës, ka mungesë të transportit publik.

Qytetarët thonë se për këtë ndryshim nuk kanë qenë të njoftuar dhe kanë humbur kohë duke shkuar paraprakisht në objektin e vjetër të Komunës.

Shumë shpejt pritet që në bashkësi lokale të dërgohen edhe zyrtarë të gjendjes civile, ku përveç kurorëzimit aty do të kryhen edhe të gjitha shërbimet e tjera.