Arbëri

Dedaj për “Prishtina Parking”: Objekt i ngjashëm u ndërtua në Zagreb, pas 5 vjetësh u shndërrua në qendër tregtare

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka folur për ndërtimin e “Prishtina Parking”, për çka tha se një objekt i ngjashëm është ndërtuar para rreth 35 vjetësh në Zagreb, por pas pak kohësh është shndërruar në qendër tregtare për shkak të çmimeve të larta të parkingjeve.

“Ndërtesa parking sikurse po bëhet tek Universiteti i Prishtinës, në Zagreb është ndërtuar në vitin 1988, por pas pesë vjetësh ajo është shndërruar në qendër tregtare për shkak se nuk ka pasur leverdi që të parkohet automjeti për 5 ose 10 euro. Nëse koeficienti i shfrytëzimit të kësaj ndërtese do të jetë i ulët, kemi dështuar në projekt pasi nuk është bërë studimi i fizibilitetit”, ka thënë ai.

Në një intervistë në emisionin “SOT” në KTV, Dedaj ka folur të hënën për sigurinë e rrugëve në Kosovë, të cilën e ka cilësuar si “shumë të vrazhdë”. Ai ka thënë se në Prishtinë duhet të bëhet auditimi i elementeve të sigurisë, pasi ato mungojnë.

Ai ka thënë se me anë të këtij auditimi shumë probleme në të cilat hasin qytetarët, do të eliminoheshin, përfshirë edhe orën kulmore.

“Duhet patjetër të ketë shirit të qarkullimit vetëm për mjetet transportuese, Prishtinës i mungojnë edhe qarkullimet rrethore për të eliminuar pikën kulmore. Vendkalimet e këmbësorëve duhet të shihen nëse janë të rregulluara me distanca të mjaftueshme prej qarkullimeve rrethore apo prej stacioneve të autobusëve? Nuk janë. Pastaj kemi mbikalimin që nuk është i përdorshëm. Prishtina ka aq probleme të mëdha saqë kryetari i tanishëm duhet të merret me auditimin e elementeve të sigurisë rrugore nëse dëshiron ta ketë një menaxhim të mirëfilltë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se një lehtësim që do të vërehej në rrugët e kryeqytetit është nëse ndërtohet arteria që lidhet me rrugë nacionale ose rrugë të kategorisë së parë.

Sipas Dedajt, ndërtimi i terminaleve në hyrje të qytetit, është një tjetër zgjidhje për rregullimin e çështjes së parkingut brenda Prishtinës.

Prishtina Parking pritet të përfundojë për pak javë. Sipas projektit, do të jenë rreth 700 vende për parkim, ndërkohë sipër parkingut, do të jetë park.