Arbëri

Kabllot në Prishtinë si “rrjetë e merimangave”

Janë varur nëpër shtyllat elektrike, duke krijuar një pamje jo të bukur të Prishtinës.

Kabllot, të cilat shërbejnë për lagjen Tophane, janë fare pranë shtëpive, e kjo sipas qytetarëve paraqet edhe rrezik për ta.

Fatkeqësisht ky kaos i kabllove nuk është vetëm në këtë lagje. E gjithë kjo të jep përshtypjen sikur është një rrjet merimangash.

Nga KEDS-i thonë se ata tashmë kanë përfunduar infrastrukturën nëntokësore për vendosjen e kabllove.

Sipas zëdhënësit të kësaj korporate, Viktor Buzhala, KEDS-i tashmë ka bërë futjen e kabllove elektrike në disa lagje të Prishtinës.

Përderisa, ai paralajmëron se gradualisht do të zgjerohen në gjithë vendin.

Sipas Buzhalës, paralelisht me ndërtimin e kanalizimeve për kabllot elektrike janë vendosur gypa shtesë në kanalet e tyre, për vendosjen e rrjetit të ajror të operatorëve të internetit.

Nga ana e Komunës nuk tregojnë nëse kanë ndonjë plan konkret që t’i shtyjë kompanitë kabllore që kabllot t’i fusin nëntokë, aty ku është mundësia.

Megjithatë, ata paralajmërojnë se janë duke planifikuar investim në ndriçim, në lagjet ku KEDS-i ka vendosur rrjetin nëntokësor.

“Sa i përket rrjetit ajror të operatorëve të internetit, me sa kemi informata, KEDS-i ka vendosur gypa shtesë në kanalet e tyre për vendosje të mëvonshme të rrjetit të tyre, pasi që të gjithë operatorët deri më tani kanë shfrytëzuar shtyllat elektrike që janë aset i KEDS-it. Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës është dukë planifikuar investimin në ndriçimin publik me vendosje të kabllove nëntokësore në lagjet ku KEDS-i ka bërë investimet, në mënyrë që të koordinohemi për eliminimin e shtyllave elektrike dhe rrjetit ajror, por që kemi kufizime për shkak të kostos së lartë investive”, thuhet nga Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës.

Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar nga kabllot e shumta nëpër lagjet e tyre.

Me anë të një rregulloreje të Ministrisë së Ekonomisë, çështja e kabllove ajrore është e rregulluar siç duhet.

Sipas nenit 4 të rregullores për Ndërtimin, Instalimin, dhe Mbikëqyrjen e Infrastrukturës së Komunikimeve Elektronike, që nga viti 2018, komunat e Kosovës e kanë të ndaluar instalimin e tyre vetëm në zonat e trashëgimisë kulturore.