Fitoj garën për të parin e Prishtinës me 206 premtime për një mandat 4-vjeçar.
Njëra nga këto premtime të kryetarit Përparim Rama ishte edhe subvencionimi për kopshtet.
Në mungesë të më shumë kopshteve publike, Rama pati premtuar subvencionimin e prindërve që dërgojnë fëmijët në kopshtet private.
Përderisa ende nuk ka asgjë në këtë drejtim, komuna e udhëhequr nga Rama nuk po kryen as obligimet e deritashme.
KOHA ka siguruar letrat e dërguara nga kopshtet me bazë në komunitet ku thuhet se komuna ka 3 muaj që nuk ka subvencionuar prindërit që dërgojnë fëmijët në këto kopshte.
Komuna i ka ndihmuar prindërit me paga më të vogla në pagesat mujore në këto kopshte.
Si pasojë e kësaj, kopshtet kanë njoftuar prindërit përmes email-it se stafi ka mbetur pa rroga qe dy muaj.
Arsyeja e moskryerjes së obligimit janë shpenzimet e mjeteve të ndara për subvencion, si dhe rritja e numrit të prindërve të cilët janë në subvencion.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, thotë se tashmë kjo pikë ka kaluar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.
“Ky problem është trajtuar në mbledhjen e fundit të mbledhjes së Kuvendit Komunal, dhe ka kaluar si pikë e rendit të ditës. Tani është çështje kohe derisa financat t’i ekzekutojnë mjetet”, tha Musmurati.
Në anën tjetër, janë kopshtet private ato që tash e një kohë po kërkojnë të kalojnë me bazë në komunitet, në mënyrë që prindërit të përfitojnë nga ky subvencionim.
“Kërkesën e kemi bërë në qeverisjen e parë të Shpend Ahmetit, por përgjigje nuk kemi marrë. Është e rëndësishme sa për ne edhe për fëmijët, sepse situata në Kosovë dihet çfarë është. Prindërit nuk kanë mundësi që të paguajnë kur kanë 2 apo më shumë fëmijë në kopsht”, tha Nurten Janovali-Çitaku, menaxhere e kopshtit “Klea”
Ndryshe, Komuna e Prishtinës i ka 8 kopshte publike dhe 9 me bazë në komunitet.