Banori i lagjes “Lakrishtë” në Prishtinë, Jahë Balaj, ka thënë se rregullorja aktuale e Prishtina Parking është e kundërligjshme, por drejtori i PP-së, Liridon Restelica, e ka mohuar një gjë të tillë. Megjithatë, Restelica pranoi se rregullorja ka nevojë për plotësim/ndryshim
Balaj ka thënë se nuk janë kundër menaxhimit të parkingut, por për mënyrën se si ajo po bëhet.
“Ne nuk jemi kundër menaxhimit të parkingut, por jemi kundër mënyrës sesi po menaxhohet. Kjo rregullore ka shumë probleme ligjore. Prishtina Parkingut i jepen kompetencat që i ka Policia me ligj të Kuvendit. Kjo rregullore shkel Ligji për Bashkëpronësinë, shkel të drejtat e njeriut sepse prek pronën private. Sipas kësaj rregullore, Prishtina Parking ka të drejtë të shesë vendparkingje, që kushton 70 euro në muaj e që për blerësin është parking i garantuar. Dhe blerësi mund të jetë kushdo, qofte rezidentë, i ardhur, kosovar e të tjerë. Dhe ne rezidentët nuk mund të parkohemi aty. I shesin parkingjet tona. Edhe nëse nuk e shesin, ne nuk e kemi vendin e garantuar sipas kësaj rregullore”, ka thënë Balaj në “60 Minuta” të KTV-së.
Në kundërpërgjigje, Restelica ka thënë se shitja e parkingjeve bëhet pas një analize të detajuar dhe nuk shiten ato që i përkasin banorëve rezidentë. Mirëpo, kryeshefi i Prishtina Parking tregoi se kryetari Përparim Rama ka përgatitur një grup punues për plotësim/ndryshimin e kësaj rregullore.
“Rregullorja ka nevojë për plotësim/ndryshim. Unë nuk kam qenë pjesë kur është bërë kjo rregullore, jam vetëm implementues i saj. Kryetari tani e ka krijuar grupin punues për plotësim/ndryshim. Unë jam në krahun e banorëve rezidentë. Parkingun e rezervuar nuk ia japim gjithkujt, sidomos aty ku nuk ka parkingje të mjaftueshme dhe ka banorë rezidentë. Por unë e kam një rregullore, të cilën e zbatoj. Kjo Rregullore është e harmonizuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Përderisa kam një rregullore, ne do ta zbatojmë”, ka thënë ai.
Balaj ka thënë se përderisa do të vazhdojë të jetë kjo rregullore, ai do të protestojë. Madje, ai paralajmëroi edhe padi në instancat më të larta juridike.