Në rendin e ditës të Kuvendit Komunal të Prishtinës të premten është plani rregullues i hollësishëm i lagjes Kalabria. Në rend është anulimi i planit, por banorët e kësaj lagje po e kundërshtojnë këtë.
Adem Zeka, banor i Lagjes Kalabria, në emisioni "SOT" të KOHËS u ankua se plani për lagjen ka mbetur i bllokuar që disa vjet.
“Gjysma e Kalabrisë ka mbetur e bllokuar total. Më 2021 është miratuar plani rregullues për lagjen, është aprovuar në Asamble dhe ka shkuar në Ministri të Planifikimit. Kryetari i ri Përparim Rama thotë se ky duhet të shpërbëhet sepse nuk është në përputhje me planin zhvillimor dhe hartën zonale. Ne kemi protestuar te komuna dhe na ka premtuar që do ta kryej për 5 muaj. Është rasti i parë në komunë që një plan i votuar prej Asambleje tenton të zhbëhet”, ka thënë Zeka.
Zeka shton se asnjë plan nuk ka stagnuar si ky i Kalabrisë, e paralajmëroi se me zhbërjen e tij “do të mbesim të izoluar.
“Nëse ky plan zhbëhet, kolektori nuk kryhet, as rruga A nuk kryhet sepse bllokohet plani dhe të gjitha. Ne as nuk kemi ndriçim e asgjë sherri i planit që nuk po kalon. Ne sot do të protestojmë dhe po ashtu të mërkurën. Do të mundohemi të mos lejojmë të zhbëhet”, ka thënë ai.
Zeka paralajmëroi edhe protesta të tjera.