Derisa brenda fushës së stadiumit kombëtar ‘’Fadil Vokrri’’ lojtarë të përfaqësueses së Kosovës tregojnë kulturë, gjendja e krijuar jashtë tij, tregon të kundërtën.
Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë që Kosova mund të vizitohet nga qindra turistë e tifozë anglez, kjo deponi mbeturinash, është gjëja e parë, që bie në sy përreth hyrjeve të stadiumit.
Sipas qytetarëve, në vendin tonë ende mungon kultura qytetare që mbeturinat të mos hidhen në vende joadekuate. Derisa shprehen të zhgënjyer me punën në kryeqytet, sipas tyre një deponi e tillë mbeturinash s’do të duhej të ekzistonte në qendër.
Se nuk po i kushtohet rëndësi ruajtjes së mjedisit nga niveli qendror e ai lokal, e thonë edhe organizatat për ruajtje të hapësirave të gjelbra.
Sipas Besfort Kosovës nga “Balkan Green Foundation’’, problemi kryesor vjen si pasojë e shpenzimit të buxhetit të ministrisë për shpronësime, e shumë pak për ruajtje të mjedisit.
Tutje Kosova shton se gjendja e krijuar është faji edhe i inspektoratit të Prishtinës dhe mungesa e efikasitetit për dënimin e ndotësve.
E, ndonëse u pastrua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor muaj më parë, kjo pjesë u mbulua sërish nga mbeturinat. Përmes një përgjigjeje me shkrim dërguar televizionit, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit thonë se presin që të ketë më shumë bashkëpunim nga komuna e Prishtinës sa i përket ndotjes.
“Është shqetësuese, sepse kjo deponi ilegale e mbeturinave është pastruar disa herë në kuadër të aksioneve të pastrimit që kemi realizuar si Ministri, së bashku me vullnetarë. Rikthimi i kësaj deponie ilegale flet për nivelin e ulët të vetëdijes së qytetarëve. Marrë parasysh që menaxhimi i mbeturinave bie në domenin e komunave, ne presim angazhim më të madh të komunës së Prishtinës në mënyrë që të ketë më shumë gjoba të shqiptuara nga inspektorët lokalë, për ata që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve”, ka thënë Leutrim Sahiti, zëdhënës në MMPH.
Ndërsa, për këtë problematikë, askush nga zyrtarët komunalë nuk i kanë kthyer përgjigje televizionit.