Arbëri

Në 11 lagje të Prishtinës dërgohen libra për të gjitha moshat

“Merr një libër, kthe një tjetër’’ është projekti, i cili përfshin vendosjen e 11 bibliotekave nëpër lagjet e Prishtinës, me qëllim që t’i afrojë qytetarët sa më shumë me leximin.

Projekti i bibliotekave, i iniciuar nga organizata “ETEA’’ synon që të ngritë cilësinë e leximit te qytetarëve, derisa ata do të kenë mundësinë edhe t’i shkëmbejnë librat ndërmjet vete, raporton KTV.

Biblioteka e parë u vendos në lagjen “Dardania” derisa edhe 10 të tjera pritet të vendosen në shfrytëzim të qytetarëve gjatë ditëve në vazhdim.

Idenë e shkëmbimit të librave dhe vendosjes së bibliotekave në lagje si të domosdoshëm e shohin edhe qytetarë të lagjes.

Përveç “ETEA”-s ky projekt u përkrah edhe nga shtypshkronja “DUKAGJINI’’, Kuvendi Komunal i të rinjve të Prishtinës, si dhe Forumi për Iniciativa Qytetare.

Bibliotekat do të jenë të qasshme 24 orë në 7 ditë të javës, derisa pas hapjes së tyre, ato do të lihen nën kujdesin e banorëve të lagjes si pronë e tyre.