Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vazhduar fushatën digjitale edhe në ditën e njëmbëdhjetë të saj. Kandidati për Istogun, Bekë Berisha, u ka premtuar banorëve të fshatrave zhvillim të infrastrukturës. Premtime për punë e angazhim kanë dhënë edhe kandidatë të tjerë, derisa kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka vazhduar përkrahjen e kandidatëve të tij nëpërmjet videove në Facebook
Me premtime për zhvillim të infrastrukturës e ka vazhduar fushatën kandidati i AAK-së për Istogun, Bekë Berisha. Në ditën e 11-të të fushatës, banorëve të fshatit Prekallë u ka premtuar përmirësim të rrugëve fushore për bujqit dhe përmirësim të infrastrukturës në përgjithësi.
“Është rruga për banorët 350 metra, të cilën e premtoj dhe do ta përfundoj me fillimin e mandatit. Po ashtu rrugët fushore i kemi premtim me programin për infrastrukturë për mundësitë që do t’u japim bujqve, do t’ i përfundojmë edhe ato”, ka thënë Berisha.
Ndërsa kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini, në takime me qytetarë i ka falënderuar ata për besimin dhe mbështetjen. Ai atyre u ka premtuar angazhim edhe më të madh.
“Edhe ma shumë kemi me punu, jemi plotësisht të vetëdijshëm që e kemi pasë mbështetjen e juaj, e di edhe e kemi bo maksimumin për me jau kthye atë respekt, atë nderim e atë besim që e keni dhanë në 2017, tash e temas edhe ma shumë për shkak se janë mundësitë për me bo ma shumë”, ka thënë Gjini.
E kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka vizituar kandidatin e Vushtrrisë e po ashtu ka kërkuar nga qytetarët që të votojnë për Mensut Ademin.
“E kam nderin të kërkoj votën e juaj për AAK-në, për programin, për qeverisjen komunale për Vushtrri, për kryetarin tonë Mensut Ademi, që të udhëheqë me Vushtrrinë një njeri i vlerave…”, tha Haradinaj.
Fushatën digjitale nëpër rrjete sociale e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjera të kësaj partie.