Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Kusari në Gjakovë premton shtigje për çiklistë e kujdes për mjedisin

Nëpërmjet një shëtitjeje me biçikleta, kandidatja për kryetare e Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Gjakovës ka premtuar shtimin e shtigjeve për çiklizëm.

Aktivistë të kësaj partie nga kjo komunë, paraditen e së premtes kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Edhe këtu nuk munguan bluzat me numrin e partisë.

Derisa Mimoza Kusari Lila, e cila garon në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sektori i mjedisit zë një fokus të veçantë në programin e saj për këto zgjedhje.

E këtu nuk mungoi mbështetja nga niveli qendror. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin zv.ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agon Batusha.

E në Mitrovicë, kandidati për kryetar të komunës nga kjo parti, Agim Bahtiri, e ka ndarë nëpërmjet rrjeteve sociale një pjesë të programit. Ka thënë se programi i tij ka në fokus katër Parime Qeverisëse: Transparencën, Llogaridhënien, Barazinë dhe Gjithëpërfshirjen.

Hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit, e ka bërë edhe kandidati për kryetar i Komunës së Prizrenit, njëherësh kryetar aktual, Mytaher Haskuka, i cili njëkohësisht i ka prezantuar edhe kandidatët për asamble.

Edhe kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Arsim Rexhepi, e ka hapur fushatën zgjedhore, derisa në faqen zyrtare të LVV-së, dega në Vushtrri, është publikuar një video me fotot të disa takimeve dhe është thënë se “Vushtrria e keqqeverisur dhe e keqmenaxhuar për më shumë se dy dekada, ka nevojë për ndryshime thelbësore dhe përmbajtjesore”.