Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Partitë hapin fushatën

Në ditën e parë të fushatës parazgjedhore, Dega e Nismës Socialdemokrate ka realizuar një aktivitet simbolik para Memorialit të Dëshmorëve. Drejtuesit e saj kanë pohuar se Prizrenit duhet t’i kthehet shpresa.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht fushatën. Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka premtuar që prioritet do të ketë zbatimin e Ligjit të kryeqytetit e infrastrukturën. Premtoi edhe ndërtimin e një spitali të përgjithshëm. Hardinaj ka thënë se me të kryetar do të lehtësohet edhe puna e bujqve.

Lidhja Demokratike e Kosovës në ditën e parë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet me tubime apo prezencë fizike. Kjo pasi që LDK-ja ka vendosur që kryesisht kampanjën ta zhvillojë virtualisht në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19. Hapjen e fushatës partia e Lumir Abdixhikut do ta bëjë sonte rreth orës 20:00 nëpërmjet mediave sociale.

Për shkak të situatës së rënduar më virusin Covid-19, Partia Demokratike e Kosovës, hapjen e fushatës për garën komunale e ka bërë në mënyrë virtuale në rrjetet sociale. Kryetari i partisë Memli Krasniqi u ka bërë thirrje strukturave të partisë që të mos mbajnë tubime elektorale, por t’i shfrytëzojnë platformat digjitale.

Me thirrjet për respektim masash, disa nga kandidatët për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje kanë prezantuar disa pika të programeve të tyre. Derisa, disa nga ta kishin zgjedhur sheshet për takim me qytetarë e aktivistë, të tjerët kishin zgjedhur rrjetet sociale për ditën e parë të fushatës zgjedhore.