Sipas shkencëtarëve në Universitetin Aston të Britanisë, infeksionet e traktit urinar të shkaktuara nga kateterët i përbëjnë rreth 35 për qind të të gjitha infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor në Britani të Madhe.
Ky numër, megjithatë, së shpejti mund të bjerë në mënyrë drastike falë përdorimit të xhamit të veçantë antimikrobial.
Një sistem tipik i mbledhjes së urinës me bazë kateteri përbëhet nga një qese që lidhet me fshikëzën e pacientit përmes një tubi fleksibil të futur - ai tub është në fakt kateteri. Problemet ndodhin kur bakteret shumohen brenda qeses së mbushur, duke depërtuar më pas përmes tubit deri në fshikëz, shkruan Koha Ditore. Infeksioni rezultues në traktin urinar mund të jetë shumë i vështirë për t’u trajtuar me ndihmën e antibiotikëve, duke çuar ndonjëherë madje në septikemi.
Që të mos ndodhë kjo, hulumtuesit e Aston filluan të prodhojnë shufra të bëra nga xhami fosfat që ishte veshur me sasi shumë të vogla të oksidit të zinkut – ky i fundit njihet për cilësitë e veta antibakteriale. Këto shufra më pas u prenë në disqe të vogla qelqi, të cilat më pas u vendosën në enët Petri që përmbanin baktere.
Derisa oksidi i zinkut u shpërbë ngadalë nga xhami, ai i zhduku plotësisht të gjitha bakteret E. coli dhe e zvogëloi ndjeshëm popullsinë e baktereve Staphylococcus aureus, brenda një periudhe 24-orëshe. Për më tepër, oksidi i zinkut u tregua se nuk ka ndonjë efekt të dëmshëm në qelizat që e përbëjnë sipërfaqen e fshikëzës.
Tani shpresohet që kertrixhët që e përmbajnë xhamin e trajtuar mund të futen në tubat e kateterit, duke i vrarë bakteret e dëmshme ndërkohë që lejojnë që urina të kalojë.
“Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për pacientët që kanë nevojë për kateterë, të cilët do të ishin në një rrezik shumë të zvogëluar të marrjes së ndonjë infeksioni potencialisht jetë-kërcënues urinar gjatë qëndrimit në spital”, thotë shkencëtari kryesor, dr. Richard Martin. “Ky është gjithashtu lajm i mirë për sistemet e kujdesit shëndetësor, të cilat mund të kursejnë miliona në kostot që lidhen me këto infeksione”.
Një punim për hulumtimin u publikua kohët e fundit në revistën “Materials Science & Engineering C”.