Lifestyle

Platforma e papërdorur kundër koronavirusit

Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kompanitë farmaceutike për të ndarë vullnetarisht informacionet që lidhen me Covid-19, trajtimet dhe teknologjinë, në mënyrë që të jenë të shpërndara më gjerësisht, nuk ka tërhequr asnjë kontribut pas tetë muajsh krijimi.

Programi për qasje të teknologjisë së Covid-19 ishte lansuar në maj të vitit të kaluar për ta lehtësuar shpërndarjen e informatave të mbrojtura për ta luftuar virusin, ku përfshihen të dhënat dignostike, terapetutike dhe të testimit. “Mbledhja” e trajtimeve dhe të dhënave do t’ua bënte të mundur prodhuesve të kualifikuar nga e tërë bota që të prodhojnë pajisje kritike, ilaçe apo vaksina pa frikën se do të ndiqen penalisht për shkelje.

Qëllimi do të ishte që të ketë kosto më të ulët të prodhimit, lehtësim të shkurtimeve të ilaçeve kryesore dhe teknologjisë dhe avokuesit thonë përfundimisht t’i jepet fund pandemisë.

Konsultimet janë mbajtur gjatë muajve të fundit, përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar, për t’i nxitur kompanitë farmaceutike që të kyçen në arkën e përbashkët, por deri në janar asnjë teknologji apo trajtim nuk është shpërndarë, e ka konfirmuar një zyrtar i OBSh-së.

“C-Tap është nismë inovative dhe ka potencial për afat mesatar apo më të gjatë, por jemi të vetëdijshëm se do të duhen bërë përpjekje më të mëdha dhe një kohë më e gjatë për t’i bashkuar grupet e ndryshme të interesit”, ka thënë një zyrtar nga OBSh-ja.

Përshpejtimi i rezultateve

Nismat e tjera për qasje globale të tilla si “Covax”, një skemë e ndarjes së vaksinave, po mbështeteshin për “dërgimin e rezultateve më shpejt”, ka shtuar ai.

Një tjetër platformë për shpërndarje e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, arka e përbashkët e ilaçeve të patentuara (MMP), e ka zgjeruar mandatin e saj vitin e kaluar për t’i përfshirë trajtimet kundër Covid-19, por edhe kjo nuk ka negociuar deri më tani për ndonjë marrëveshje për ilaçe, të dhëna apo teknologji për ta luftuar pandeminë e koronavirusit.

Charles Gore, drejtor ekzekutiv i MMP-së, ka thënë se mungesa e lidhjes ishte simbol i dështimit të përhapur për ta trajtuar pandeminë në një mënyrë globale. Fatkeqësisht ajo që kemi parë është shumë pak prej shprehjes “Le ta bëjmë këtë të gjithë së bashku si një botë e tërë” dhe pak si shumë e ‘unë së pari’”, ka thënë Gore.

Ai ka thënë që industria farmaceutike ishte duke i ndjekur hapat e qeverisë, që janë përpjekur t’i arrijnë marrëveshjet e tyre për vaksina, teknologji dhe trajtime, në vende se ta bëjnë prioritet shpërndarjen globale.

“Kjo do të thotë se në mënyrë të pashmangshme industria duhet t’i përgjigjet kësaj”, ka thënë Gore. “Nëse vendet po e thonë që gjëja më e rëndësishme është se duan që të bëjnë një marrëveshje tani’, kompanitë nuk mund të thonë: ‘Do të kthehemi te ju më vonë, jemi duke u munduar të bëjmë marrëveshje për qasje globale’”.

Thomas Cueni, drejtor i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve dhe Asociacioneve Farmaceutike, një grup lobues për industrinë, ka thënë se të drejtat e patentimit ishin “motori që e ka ushqyer studimin dhe zhvillimin themelor” përfshirë edhe dërgesën e shpejtë të disa vaksinave të sigurta kundër Covid-19. “Anashkalimi i të drejtave të patentimit nuk do t’i zgjidhë sfidat e perceptuara të qasjes”, ka thënë Cueni nëpërmjet email-it.

Ai ka theksuar disa shembuj të kompanive që kanë hyrë në marrëveshje specifike për ta përmirësuar qasjen globale, përfshirë edhe marrëveshjen e licensimit të AstraZenecas, që ia bën të mundur Institutit Serum të Indisë, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të vaksinës, që të prodhojë miliarda doza.

Kërkesa e “Moderna”-s

Moderna, një tjetër krijues i vaksinës, është pajtuar për të mos e vënë në fuqi patentimin e saj gjatë kohës së pandemisë - edhe pse grupet e të drejtave mjekësore thonë se ky zotim ka pak vlerë nëse nuk e transferon teknologjinë e përdorur për prodhimin e vaksinës së saj mRNA, diçka që C-Tap është krijuar për ta lehtësuar.

Por të tjerët kanë thënë se ky organizim i copëzuar ndaj qasjes globale kishte kontribuuar në shkurtimin e teknologjisë dhe trajtimeve jetëshpëtuese, sipas një analize.

Drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar të hënën se bota ishte buzë “dështimit moral katastrofik” për shpërndarjen e vaksinave, ku shumica e vendeve të pasuara i kanë rezervuar pjesën më të madhe të vaksinave që do të prodhohen më 2021.

Ellen ‘t Hoen, eksperte dhe avokuese mjekësore, ka thënë se qeveritë e pasura nëpër tërë botën kanë derdhur dollarët e taksapaguesve për t’i krijuar vaksinat që përfundimisht janë në pronësi të kompanive dhe kontrollohen nga to.

“Kompanitë kanë mbledhur miliarda të parasë publike dhe tani po bëjnë disa deklarata që i kemi dëgjuar për 30 vjet me radhë… se IP-ja është mbështetëse e inovacionit”, ka thënë ajo.

Të enjten, një koalicion i grupeve humanitare dhe të shëndetit publik i kanë dërguar letër OBSh-së, duke shprehur shqetësimet rreth menaxhimit të C-Tap-it dhe duke kërkuar qartësime publike të strategjisë së programit, publikime të rregullta të përparimit të tij dhe hollësi të financave të tanishme.

India dhe Afrika Jugore po e udhëheqin një nismë në Organizatën Botërore të Tregtisë për t’ua bërë të mundshme vendeve që të mos ndiqen penalisht për patentim të vaksinave kundër Covid-19, trajtimeve dhe të dhënave për shkak të pandemisë. Kjo është kundërshtuar nga vendet, si ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia.

Gore ka thënë se ndarja e teknologjive dhe trajtimeve mund t’u kushtojë kompanive dhe nuk është gjithmonë e thjeshtë, por mund ta paguajnë çmimin e reputacionit që nuk kanë bërë diçka të tillë, në momentin kur pandemia të përfundojë dhe bizneset do të shqyrtohen me kujdes për rolin që kanë pasur.