Njerëzit që vuajnë nga dy ose më shumë sëmundje kronike kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar depresion, tregon një studim i ri, ka raportuar TechnologyNetworks.
Sipas hulumtuesve nga Universiteti i Edinburgut, disa kombinime sëmundjesh, sidomos ato kardiometabolike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës, mund ta dyfishojnë rrezikun për t’u diagnostikuar me depresion në të ardhmen.
Studimi u bazua në të dhënat e mbi 142,000 pjesëmarrësve nga UK Biobank, të personave të moshave nga 37 deri në 73 vjeç, të cilët kishin të paktën një sëmundje kronike fizike, por nuk kishin histori të mëparshme me depresion.
Studiuesit përdorën teknika statistikore për t’i klasifikuar pjesëmarrësit sipas profileve të sëmundjeve që kishin dhe më pas analizuan se si këto profile ndikonin në zhvillimin e depresionit me kalimin e kohës.
Një nga grupet që përfshinte njerëzit me më shumë probleme shëndetësore fizike, një përzierje komplekse e sëmundjeve pa një sëmundje dominuese, rezultoi me rrezik më të lartë për depresion.
Po ashtu, personat me sëmundje të zemrës dhe diabet ishin veçanërisht të rrezikuar, ashtu si ata me sëmundje të mushkërive si astma apo COPD (sëmundja pulmonare obstruktive kronike). Sëmundjet e mëlçisë dhe zorrëve gjithashtu u shoqëruan me rritje të rrezikut, si te burrat ashtu edhe te gratë.
Në mënyrë të veçantë, gratë me probleme të nyjave dhe eshtrave, si artrit, kishin rrezik më të lartë për të zhvilluar depresion, një model që nuk ishte aq i theksuar te burrat.
Në grupet me rrezikun më të lartë, afërsisht një në 12 persona u diagnostikua me depresion brenda 10 vjetëve, në krahasim me një në 25 te ata pa sëmundje kronike.
Shkencëtarët kanë theksuar se përveç barrës biologjike të sëmundjeve, edhe faktorët shoqëror dhe sistemik mund të ndikojnë në lidhjen mes sëmundjeve fizike dhe shëndetit mendor.
“Pamë lidhje të qarta mes sëmundjeve fizike dhe zhvillimit të depresionit, por ky studim është vetëm një pikënisje. Shpresojmë që gjetjet tona të nxisin kërkime të tjera që të zbulojnë dhe kuptojnë më thellë këto lidhje”, ka thënë Lauren DeLong, autore kryesore e studimit dhe doktorante në Shkollën e Informatikës në Universitetin e Edinburgut.
Profesori Bruce Guthrie, nga Qendra për Kërkime të Kujdesit të Avancuar në Universitetin e Edinburgut, ka shtuar se mjekësia shpesh i trajton shëndetin mendor e atë fizik, si dy gjëra të ndryshme.
“Sistemi shëndetësor shpesh i trajton shëndetin fizik dhe atë mendor si dy gjëra të ndara, por ky studim tregon se duhet të përmirësojmë parashikimin dhe trajtimin e depresionit te njerëzit me sëmundje fizike”, ka thënë ai.
Ndërsa profesori Mike Lewis, drejtor shkencor për inovacion në NIHR, ka thënë se shfrytëzimi i të dhënave për kuptimin e sëmundjeve kronike, do të ndryshojë trajtimin e pacientëve.
“Shfrytëzimi i fuqisë së të dhënave për të kuptuar ndikimin e sëmundjeve kronike do të transformojë mënyrën si i trajtojmë pacientët në të ardhmen. Kërkimet e NIHR në këtë fushë po ndihmojnë që të krijohet një pamje e plotë e çfarë përjetojnë pacientët – jo vetëm duke u fokusuar në një sëmundje të vetme”, ka thënë ai.