Pse është e rëndësishme të mbani maskë gjatë pastrimit

Pastrimi është një punë e përditshme që shumica prej nesh nuk duan ta bëjnë.
Por, nëse keni vërejtur se shtëpia e juaj po duket rrëmujë, atëherë është koha për të hapur dollapin ku i lëni mjetet e pastrimit, e për ta nisur punën.
Derisa jeni duke përdorur pastrues të xhamave, apo edhe zbardhues të tualetit, një ekspert rekomandon se duhet të mbani një maskë në fytyrë.
Specialistja e mushkërive MeiLan Han, një profesoreshë e kujdesit pulmonar në Universitetin e Michiganit, ka thënë se maskat mund të mbrojnë shëndetin tuaj kur ju vendosni të pastroni tualetin apo kuzhinën.
Ajo ka thënë se është me rëndësi që mushkëritë të mos “ndoten”, gjë që mund të ndodhë kur jemi duke pastruar.
“Nëse jam duke pastruar diku pluhur apo myk, atëherë është me rëndësi të mbajë maskë. Kohët e fundit kemi rimodeluar bodrumin dhe kam kërkuar që tapeti të ajroset para se të vendoset. Përbërjet organike të paqëndrueshme - të cilat vijnë nga produktet e pastrimit, bojërat dhe tapetet e reja – kanë qenë të lidhura me inflamacione dhe dëmtime të mushkërive”, ka thënë Han për “The Telegraph”.
Ajo thotë se mushkëritë e njeriut kulmojnë në fillim të 20-ave.
Pas kësaj, fillon të ulet funksioni i mushkërive.
Profesoresha Han thotë se shumë dëme mund të bëhen para se të keni problem me frymëmarrje, kështu që shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se po i dëmtojnë mushkëritë e tyre.
Ajo ka thënë se ka analizuar mushkëritë dhe ka gjetur grimca të zeza në to edhe te personat që nuk pinë duhan.
Ajo thotë se kjo është për arsye se atë që thithim nuk del më kurrë jashtë.
Një studim i publikuar në vitin 2016 nga ekspertët e Universitetit të Bergenit, kanë zbuluar se njerëzit që pastrojnë rregullisht shtëpitë e tyre janë në rrezik 14 për qind më të madh për të përjetuar një rënie të funksionit të mushkërive gjatë 20 vjetëve të ardhshme.
Dhe substancat e dëmshme zakonisht gjenden në një sërë produktesh, si shampona për larje e deri te zbardhuesit e pastruesit e dyshemesë.
Oistein Svanes, i cili drejtoi studimin, tha: “Ne duhet të fillojmë të jemi shumë më të vetëdijshëm për kimikatet që po lëshojmë në ajrin që thithim, kur përdorim gjëra të tilla si preparate pastrimi”.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kimikatave që vinë nga preparatet e pastrimit, po ashtu janë të lidhura me shifra më të larta të astmës.
D. Norman H. Edelman, një këshilltar i lartë për çështje shkencore në Shoqatën Amerikane të Mushkërive, më herët ka këshilluar se për shtëpinë duhet të përdorni pastrues jotoksikë, veçanërisht nëse keni astma apo alergji.
“Shumë njerëz përdorin zbardhues me klor në shtëpi, dhe kjo mund të jetë irrituese për mushkëritë. Dhe zakonisht nuk është vërtetë e nevojshme të përdorni këto produkte. Nëse njerëzit i përdorin këto produkte, ata nuk dinë si t’i përdorin ato”, ka thënë ai për agjencinë “Reuters”.
Ai ka shtuar se maskat mund të ndihmojnë, por thonë se ato nuk do të mbajnë tymin jashtë dhe se pastruesit e punëtorët tjerë të ekspozuar vazhdimisht ndaj kimikateve duhet të shqyrtojnë të përdorin “pajisje të forta”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.