Lifestyle

Gjashtë arsyet befasuese pse nuk po humbni peshë

Kur keni synim humbjen e peshës, duhet të dini saktësisht se çfarë duhet bërë për të larguar kilogramët e tepërt.

Por, nganjëherë përkundër përpjekjeve më të mira tua për të ndryshuar mënyrën e ushqimit dhe për të ushtruar, kur peshoheni zbuloni se rezultatet nuk janë ato që prisnit.

Pra, çfarë po ndodh?

Nutricistja Sarah Bockhart tregon për “The Sun” se çfarë jeni duke bërë gabim dhe si të siguroheni që të mos shkojnë huq përpjekjet tuaja për të humbur peshë.

Nuk jeni duke konsumuar mjaftueshëm proteina

Nutricistja Sarah Bockhart tregon se një nga arsyet mund të jetë se nuk jeni duke konsumuar mjaftueshëm proteina.

“Kur njerëzit fillojnë një dietë të re, atëherë menjëherë në mendje kanë të hanë më pak ushqim. Mund të jetë mënyrë e mirë për të filluar të reduktoni madhësinë e porcionit, por gabimi më i zakonshëm që bëjnë njerëzit është heqja dorë nga një grup i caktuar i ushqimeve. Shumë njerëz po ashtu nisin rutina të reja të ushtrimeve kur janë duke tentuar të humbin ushqim, por dështojnë të mbështesin me ushqim këtë rritje të aktivitetit. Proteina është kyçe në përkrahje të muskujve tuaj kur jeni duke ushtruar dhe na mbush, por edhe përkrah nivelet tona të energjisë për një kohë më të gjatë, duke na ndaluar nga dëshira që të hamë më tepër ushqim”, thotë Sarah.

Ajo tregon se ushqimet që kanë sasi të madhe të proteinave janë “gjoksi i pulës, gjeldeti, bifteku, vezët, arrat, djathi’.

“Në vend se të largoni ato nga dieta, rrisni sasinë e proteinave që po hani për të ndaluar ndjenjën e të ndierit të uritur dhe po ashtu me këtë forconi edhe muskujt”, thotë nutricistja.

Jeni duke rënë në “kurthe” të dietave

Dieta me sasi të ulët të yndyrës, vegane 5:2 apo thjeshtë “jam në dietë” – pavarësisht nga dieta që po ndiqni, ka shanse të mëdha që jeni duke u fokusuar në heqjen e gjërave nga vaktet tuaja e të përditshme e jo të shtoni ato.

“Arritja e një deficiti në kalori (konsumimi i më pak kalorive se që shpenzoni gjatë ditës) është çelësi për humbjen e peshës, por mënyra se si e arrijmë këtë ndikon edhe në aftësinë më pas që ta mbajmë këtë regjim”, thotë nutricistja Sarah. “Ngrënia e ushqimit me vlera ushqyese, dhe në sasi të bollshme, është çelësi për të na ngopur dhe të na lë trupin e kënaqur. Nëse jeni duke numëruar kaloritë, por po keni telashe të humbni peshë, atëherë ka shumë gjasa që po zgjidhni kaloritë nga ushqimi me vlera shumë të ulëta ushqyese. Ushqimet e shpejta dhe të përpunuara (patate të skuqura, mish i përpunuar dhe çokolata dietale) mund të përshtaten në numrin tuaj të kalorive, por ato nuk e bëjnë trupin tuaj të ndihet i lumtur. Kur konsumojmë një sasi të balancuar të karbohidrateve, proteinave e yndyrave të shëndetshme, së bashku me një shumëllojshmëri të këtyre ushqimeve, atëherë përmirësojmë pos gjendjes së zorrëve edhe mirëqenien mendore”.

Ajo ka treguar se si hulumtimet kanë zbuluar se nëse “arrini deficitin e kalorive duke ngrënë ushqime me vlera të larta ushqyese, jo vetëm që ju ndihmon të humbni peshë, por edhe të mbani atë peshë në plan afatgjatë”, thotë Sarah.

Ushtrimi i juaj është “çdo gjë apo asgjë”

Nutricistja e njohur Sarah Bockhart thotë se rritja e ushtrimeve gjatë javës është mënyra më e mirë për t’iu ndihmuar të humbni peshë e po ashtu për të përmirësuar shëndetin.

“Ushtrimet jo vetëm që përmirësojnë shanset tuaja për të arritur deficitin e kalorive – pasi digjni më tepër kalori gjatë ditës – por, po ashtu edhe rrisin hormonet e ndjenjës së mirë, ulin nivelin e stresin dhe keni më tepër gjasa të motivoheni për të bërë zgjedhje të ushqimeve të shëndetshme”, thotë Sarah.

Por, Sarah thotë se nëse bëni një ushtrim të ri stërvitor, ku bëni ushtrime për një orë apo më shumë, duke dhënë maksimumin, e më pas nuk ushtroni fare për disa ditë, atëherë ato ju bëjnë më tepër dëm sesa mirë.

“Gabimi më i madh është se jeni në një model ‘çdo gjë apo asgjë’ në stërvitjen tuaj”, thotë Sarah. “Stërvitjet e gjata dhe të vështira mund të na lënë jashtëzakonisht të uritur dhe me më tepër gjasa për të ngrënë më shumë ushqim gjatë ditës. Po ashtu e lënë trupin shumë të lodhur dhe në nevojë për të pushuar, që nënkupton se ne lëvizim më pak gjatë ditëve në vijim. Derisa digjni më tepër kalori në një seancë të gjatë e intensive, nëse bëni këtë e më pas pushoni dy ditë, atëherë ka shumë gjasë që të keni më tepër dëme sesa përfitime. Zgjidhni stërvitje të shkurtra – më shpesh dhe përpiquni të fusni lëvizjet më tepër në jetën tuaj të përditshme, si ecjet apo thjeshtë mosqëndrimi ulur për një kohë të gjatë”, thotë nutricistja Sarah.

Nuk po flini mjaftueshëm

Nutricistja Sarah Bockhart ka thënë se gjumi jo i rregullt mund të pengojë humbjen e peshës.

“Nëse nuk flemë mjaftueshëm, atëherë kjo shkakton tronditje në shëndetin tonë dhe mund ta bëjë më të vështirë humbjen e peshës. Lodhja ka ndikim jashtëzakonisht negativ në vendimet që marrim, duke bërë gjëra të tilla si: rritje të dëshirave tona për ushqime me kalori të lartë, ulje të dëshirës për ushtrime, rritje të nivelit të stresit, ndikim në disponim”, thotë Sarah. “Nëse doni të humbni peshë, atëherë jepni përparësi gjumit. Mundohuni të keni të paktën shtatë orë gjumë gjatë natës, por synim të keni tetë orë”.

Po humbni sasi muskulore

Sarah Bockhart ka thënë se një nga gabimet tjera që bëhen është humbja e masës muskulore gjatë dietave.

“Kur kemi muskuj të shëndetshëm, atëherë trupi ynë shpenzon më shumë energji gjatë ditës për t’i mbajtur ata muskuj të ushqyer dhe për t’u kujdesur për ta – gjë që shpenzon shumë kalori. Nëse nuk punojmë në ruajtjen e masës sonë muskulore, mund të humbim tre deri në tetë për qind të muskujve tanë për dekadë. Mund të mos duket shumë, por humbja e forcës dhe masës muskulore mund të na pengojë në arritjen e qëllimit tonë për të arritur deficitin e kalorive”, thotë Sarah. “Stërvitja e rregullt e forcës, ndihmon për të mbajtur muskujt të fortë dhe hulumtuesit kanë zbuluar se ata që bëjnë ushtrime të forcës më rregullisht humbin më shumë yndyra trupore sesa ata që nuk e bëjnë”, thotë Sarah.

Nuk e dini pse po e bëni

Nutricistja Sarah Bockhart thotë se nëse nuk e dini arsyen pse po humbni peshë, atëherë kjo mund të jetë arsyeja pse nuk po ia dilni me sukses.

“Nëse nuk mund të përgjigjeni menjëherë pse jeni duke e bërë, atëherë kjo mund të jetë arsyeja pse po dështoni ta bëni. Shpesh jemi të bombarduar me mesazhe që na bindin për humbje të peshës, ‘Humb peshë për Vitin e Ri’, ‘Humbje peshe trupore për verë’, ‘Bini në peshë për të veshur fustanin’. Ne i shohim kaq shpesh këto mesazhe saqë na bindin për të humbur peshë – ndonëse mund të mendojmë se nuk na duhen. Merrni pak kohë dhe pyesni veten pse po e bëni dhe shkruani. A është për të përmirësuar shëndetin tuaj? Për të rritur vetëbesimin? Apo ta keni më të lehtë të luani me fëmijët tuaj?” – thotë Sarah. “Çfarëdo që është, kujtojani vetes dhe përdoreni për motivim”.