Me vaksinat që edhe disa muaj s’pritet të dalin në ndihmë për njerëzit, kompanitë farmaceutike po testojnë ilaçe të cilat lëshojnë antitrupa për të luftuar koronavirusin në trupin e njeriut, pa pasur nevojë që të trajnohet sistemit imunitar për t’i prodhuar ata.
Antitrupat janë proteina të cilat i prodhon trupi kur paraqitet një infeksion, ato prekin virusin dhe e eliminojnë. Vaksinat punojnë duke e mashtruar trupin se nuk ka infeksion, kështu që lëshon antitrupa dhe i rikujton se si duhet të veprojë nëse infeksioni paraqitet sërish.
Por, mund të marrë një muaj apo dy deri sa antitrupa efektivë të paraqiten, ndërsa ilaçet janë treguar efektive tashmë në testimet te kafshët.
Këto ilaçe besohet se mund të kenë efekt për një muaj apo më shumë dhe që mund t’u japin më shpejtë imunitet njerëzve me rrezik të lartë infektimi, si punonjësve të shëndetit. Nëse ato tregojnë sukses, këto ilaçe do të mund të kenë përdorim më të gjerë, si për mësimdhënësit dhe grupet e tjera, shkruan AP, transmeton KOHA.
Ata po ashtu po testohen si trajtime, për të ndihmuar sistemin imunitar dhe për të parandaluar disa simptoma apo edhe vdekjen.
“Shpresa është që të targetohen njerëz të cilët janë në javën e parë të infektimit dhe që mund t’i trajtojmë me antitrupa për t’i parandaluar të sëmuren”, thotë specialisti për sëmundje ngjitëse, Dr. Marshall Lyon.
Vaksinat po shihen si çelës për të kontrolluar koronavirusin, prej të cilit janë infektuar më shumë se 20 milionë njerëz në botë dhe kanë vdekur më shumë se 738,000. Kompani të ndryshme po garojnë për të zhvilluar një vaksinë, por rezultatet e testeve finale që nevojiten për t’i zhvilluar ato janë shumë larg. Rusia të martën ka aprovuar një vaksinë, e cila nuk i është nënshtruar testeve të tilla dhe ka marrë kritika nga e gjithë bota.
Ilaçet për antitrupa janë premtuese dhe mund të jenë të gatshme së shpejti, ka thënë zyrtarja në Administratën për Ushqim dhe Ilaçe të SHBA-së, Janet Woodcock.