Personat që nuk shfaqin simptoma ani pse janë infektuar me virusin që e shkakton sëmundjen COVID-19, mund të bartin këtë koronavirus të ri po aq sa dhe ata që shfaqin simptoma, ka treguar të martën një studim i kryer në Korenë e Jugut.
Studimi ka treguar se ekzistojnë dëshmi të bollshme që vërtetojnë se raste asimptomatike përfaqësojnë një proporcion të konsiderueshëm të infeksioneve me koronavirus.
Por hulumtimi nuk ka arritur të tregojë se sa e kishte arritur që ta bartin virusin te personat e tjerë kjo shtresë e të infektuarve.
Njerëzit që dolën pozitivë pas testimit për koronavirus u përcollën për këtë studim nga një qendër e trajtimit, në atë që ua lejoi shkencëtarëve që të vrojtojnë se sa i dallueshëm ishte virusi në hundë dhe në bajame. Atyre iu bënë teste normale dhe u liruan, vetëm pasi rezultuan negativë.
Rezultatet e 1.886 të testuarve kanë treguar se personat që nuk kanë simptoma kur testohen, duke përfshirë këtu edhe ata që kurrë nuk shfaqin simptome, kanë sasinë e njëjtë të materialit viral në hundë dhe fyt, sikurse edhe personat, të cilët shfaqin dhe lëngojnë nga simptomat.
Studimi ka bërë të ditur, po ashtu, se virusi mund të vërehej te njerëzit pa simptoma për një periudhë të caktuar kohore, ani pse ata dolën se e eliminojnë atë nga sistemet e tyre imunitare dukshëm më shpejt sesa personat që shfaqin simptoma.
Kësisoj, koha mesatare për eliminimin e virusit prej momentit të diagnostikimit e deri te rezultimi negativ ishte 17 ditë për pacientët pa simptoma, kurse tek ata me simptoma ishte mesatarisht 19.5 ditë.
Për shkak të natyrës së qendrës së izolimit, studimi nuk i përfshiu njerëzit me simptoma të rënda të sëmundjes. Ata gjithashtu ishin më të rinj dhe më të shëndetshëm sesa mesatarja.
Shumica e testimeve, duke përfshirë edhe ato të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përqendrohen te personat me simptoma, kështu që ka pak të dhëna për rastet asimptomatike.
Hulumtuesit, sidoqoftë, janë në dijeni se studimi i tyre nuk do të mund “të përcaktonte rolin” që prania e virusit te pacientët asimptomatikë ka luajtur në bartjen e tij te të tjerët.
Teorikisht, posedimi i sasisë së njëjtë të virusit në hundë dhe fyt nënkupton sasi të mjaftueshme të virusit sa për ta infektuar edhe dikë tjetër. Por personat asimptomatikë kanë më pak gjasa të gjenerojnë kollë, një simptomë kjo që do t’i shpërndante spërklat më larg në ajër.
“Ka virus në mukusin respirator të tyre aq sa ka te dikush tjetër që e ka sëmundjen”, ka thënë mjeku Simon Clarke, mikrobiolog nga Universiteti i Readingut.
Por, shtoi ai, “kjo nuk do të thotë që ata janë duke spërkatur aq shumë në mjedis”.
Përderisa ende do të ketë rrezik nga njerëzit pa simptoma, personat me simptoma që “kolliten dhe shpërndajnë stërpika me virus” ka gjasa që të jenë më të rrezikshëm, ka thënë ai.
Rreziku për ta marrë koronavirusin nga kushdo varet nga një sërë faktorësh, ka thënë biologu dhe eksperti i infeksioneve, mjeku Andrew Preston, nga Universiteti i Bathit.
Në këtë mes përfshihet edhe ajo se sa thellë dhe shpejt marrin frymë personat e infektuar, sa afër e sa gjatë të tjerët kanë qenë në afërsi të tyre dhe nëse personat kanë qëndruar apo jo në një mjedis të mbyllur, ka shtuar ai.