Lifestyle

Peptidet në lëkurën tonë mund të jenë thelbësore për t’i luftuar superbakteret

Një nga skenarët më të mundshëm (dhe shpesh të anashkaluar) do të jetë dita e ngritjes së superbaktereve, bakteret që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Por tani, shkencëtarët e kanë gjetur një trajtim të ri të mundshëm - dhe ai fshihej në lëkurën tonë gjatë gjithë kohës.

Trupat tanë tashmë e bëjnë një punë mjaft të mirë për t’i luftuar bakteret e rrezikshme. Sistemi imunitar i përcjell me vigjilencë patogjenët pushtues, por nuk mund të fitojë çdo herë. Kështu që hulumtuesit e Institute for Stem Cell Science and Regenerative Medicine (InStem) dhe Unilever e kanë gjetur një mënyrë për ta rritur këtë aktivitet imunitar.

Sistemi imunitar e aktivizon mbrojtjen e tij edhe para se bakteret të futen brenda trupit. Qelizat e lëkurës prodhojnë molekula të quajtura peptide antimikrobike (AMP - antimicrobial peptides), të cilat siç sugjeron emërtimi i tyre i shkatërrojnë mikrobet përpara se të shkaktojnë sëmundje, shkruan Koha Ditore. Ato veprojnë kundër baktereve, viruseve, mykut dhe kërpudhave, dhe ajo që është më e rëndësishmja, këto peptide janë komplekse dhe shënjestrojnë disa pjesë të ndryshme të pushtuesve, kështu që është më e vështirë për to të zhvillojnë rezistencë.

Hulumtuesit në studimin e ri hulumtuan se çfarë e rregullon këtë proces, dhe e gjetën një mënyrë për ta përmirësuar atë. Normalisht, AMP-të prodhohen kur mikrobet vijnë në kontakt me qelizat e lëkurës, ndërsa ekipi zbuloi se kjo ndodh për shkak të niveleve më të ulëta të një proteine të quajtur kaspaza-8. Molekulat gjithashtu duket se e luajnë një rol në përshpejtimin e shërimit të plagëve.

Kur i përdorën teknikat molekulare për t’i ulur artificialisht nivelet e kaspazës-8, hulumtuesit zbuluan se më shumë AMP u liruan nga qelizat e lëkurës. Marrja nën kontroll e këtij mekanizmi mund të çojë në ilaçe të reja që e parandalojnë ndikimin e infeksioneve, gjë që është veçanërisht e dobishme për njerëzit me sistem të dobësuar imunitar.

Kjo armë e re potenciale në arsenalin tonë antibiotik mund të tingëllojë premtuese, por nuk është pa pengesat e veta të mundshme. Nëse bakteret janë të njohura për një gjë, atëherë kjo është aftësia e tyre për t’i kapërcyer pengesat që i vendosim në rrugën e tyre - fundja, kështu jemi futur në këtë rrëmujë të superbaktereve. Shkencëtarët e tjerë kanë paralajmëruar se duke luajtur me AMP-të mund t'i ketë shtyrë ato të zhvillojnë rezistencë ndaj mbrojtjes sonë natyrale imunitare edhe më shpejt. Dhe kjo mund të jetë shumë më e keqe se rezistenca ndaj ilaçeve.

Por për ta parandaluar një të ardhme të mundshme, ku 10 milionë njerëz vriten nga superbakteret çdo vit, është e rëndësishme të hulumtohen të gjitha opsionet. AMP-të mund të përfundojnë si një mjet nga shumë sosh në dispozicionin tonë, dhe për fat të mirë nuk është e vetmja në zhvillim. Të tjerat përfshijnë drita, xhel, materiale, mikrobe të tjera grabitqare dhe natyrisht, antibiotikët e rinj.

Hulumtimi u publikua në revistën “Cell Reports”.