Lifestyle

Koncentrati i domates mund ta përmirësojë pjellorinë mashkullore

Tash e ca kohë po studiohet mundësia që disa ushqime i rrisin gjasat e ngjizjes. 

Në qendër të shumë hulumtimeve kanë qenë likopena, vitamina E dhe zinku. Likopena u takon antioksidantëve që e parandalojnë dëmtimin e qelizave. Një ekip nga universiteti i Sheffieldit e analizoi konsumin e likopenës përmes koncentratit të domates, sepse trupi e ka më të vështirë ta absorbojë nga ushqimi i papërpunuar, transmeton Koha Ditore.

Meshkujt e shëndetshëm që i morën dy lugë të koncentratit të domates në ditë si shtojcë të ushqimit, kishin cilësi më të mirë të spermës. Për të njëjtën sasi të likopenës së përdorur nga meshkujt në formë të koncentratit, ata duhej t’i hanin dy kilogramë domate të ziera në ditë. 

Gjatë një hulumtimi 12-javor, 60 meshkuj të zgjedhur në mënyrë rastësore u ndanë në dy grupe, prej të cilave njëri ku merreshin 14 mikrogramë likopenë në ditë dhe tjetri ku merrej tabletë të rreme apo placebo. 

Sperma e tyre u analizua në fillim të studimit, gjashtë javë pasi filloi studimi dhe në fund të studimit. Nuk u vërejt ndonjë ndryshim në përqendrimin e spermës, por sasia e spermës me formë të shëndetshme dhe lëvizshmëria e tyre ishin më të mëdha në grupin që mori likopenë. Shterpësia mashkullore prek pothuajse gjysmën e çifteve që nuk mund të kenë fëmijë. 

Ekspertët e fertilitetit thonë se nevojiten më shumë hulumtime të cilat do t’i përfshinin edhe meshkujt që kanë probleme me fertilitetin. Rezultatet e hulumtimit u publikuan në revistën “European Journal of Nutrition”.