Kuriozitet

Zogjtë shtegtarë britanikë “mund të mos fluturojnë në jug për dimër”

Zogjtë shtegtarë përfshirë këtu çafkëloret dhe bilbilat, me kalimin e kohës mund të mos fluturojnë më për në jug për dimër, pasi do të kalojnë më shumë kohë në tokat evropiane.

Studimi është realizuar gjatë një periudhe më shumë se 50-vjecare, ku janë analizuar zogjtë nga Gambia dhe Gjibraltari. Në të është zbuluar se disa specie shtegtare, që kalojnë nëpër Saharë, po kalojnë mesatarisht 50 deri 60 ditë më pak në vit në Afrikë.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Global Change Biology”, i ka analizuar ndryshimet në datat e arritjes dhe largimit në Gambi dhe Gjibraltar, së bashku me ndryshimet në klimë dhe bimësi.

Ndonëse më parë ishte menduar se zogjtë e caktonin migrimin sezonal bazuar në orët e ditës, studimi sugjeron se zogjtë po marrin vendime më të nuancuara bazuar në bimësinë e disponueshme dhe ndryshimet klimatike.

Regjistrimet nga viti 1964 deri më 2019, të analizuara nga shkencëtarët e Universitetit të Durhamit, zbuluan se speciet po mbërrinin në destinacionet e tyre dimërore më vonë në vjeshtë sesa në të kaluarën dhe gjithashtu largoheshin nga këto vende më herët në pranverë, duke zvogëluar sasinë e kohës së kaluar në shtëpitë e tyre dimërore.

Gjatë një periudhe 27-vjeçare, zogjtë shtegtarë e rrisin kohën e tyre në Evropë mesatarisht me 16 ditë.

Autori kryesor Kieran Lawrence ka thënë: “Nëse trendët që i kemi parë në këtë studim, vazhdojnë, mund të shohim se, me kohë, disa zogj nuk do të shkojnë në Afrikë, por do të qëndrojnë brenda Evropës gjatë tërë vitit”.

Shumë prej këtyre zogjve të vegjël shtegtarë janë duke pësuar rënie të ndjeshme në popullatën e tyre britanike, pasi bilbilat janë në rrezik zhdukjeje dhe numri i çafkëloreve në Angli është ulur për 45 për qind në 24 vjetët e fundit.

Përderisa reduktimi i migrimit mund t’u ndihmojë disa specieve që të mbijetojnë, Lawrence ka thënë se kishte implikime të mundshme më të gjera si në Evropë ashtu edhe në Afrikë.

“Në Evropë, prania më e gjatë e zogjve shtegtarë mund ta sjellë rritjen e konkurrencës për ushqimin e vjeshtës/dimrit dhe burimet për speciet vendase të shpendëve që nuk migrojnë”, ka thënë ai.

“Ndërkohë, në destinacionet tradicionale të migrimit të Afrikës subsahariane, reduktimi i kohës që zogjtë shtegtarë kalojnë atje mund të ketë implikime për shërbimet e ekosistemit, të tilla si konsumi i insekteve, shpërndarja e farës dhe pllenimi”.

Ngrohja globale tashmë i ka ndryshuar disa karakteristika të shtegtimit në distancë të shkurtër për në Britani, ku zogjtë kapelat e zeza, nga familja e çafkëloreve, tani dimrin po e kalojnë aty, në vend se të shpërngulen në Evropën kontinentale. Në Evropë, lejleku i bardhë e ka reduktuar migrimin për në Afrikë dhe shumë zogj kanë zgjedhur që dimrin ta kalojnë në Gadishullin Iberik, në vend se të shpërngulen larg në jug.

Bashkautori Clive Barlow, ekspert i zogjve nga Gambia, ka thënë: “Jam shumë i lumtur tek shoh mënyrën konstruktive të regjistrimeve të zogut shtegtar gambian, mbledhur nga ornitologët gjatë disa dekadash, që po përdoren për t’i nënvizuar ndryshimet e karakteristikave shtegtare të këtyre specieve. Deri në studimin aktual, askush nuk e kishte kuptuar shkallën në të cilën zogjtë shtegtarë po rrinë më pak në Afrikën subsahariane”.