Kuriozitet

Zhytësit vullnetarë që pastrojnë thellësitë e detit në Danimarkë

Duke u zhytur në thellësitë më të skajshme të detit, ky grup zhytësish vullnetarë nuk është vënë në kërkim të ndonjë thesari. Ajo që ata kanë në cak është krejt ndryshe.

Fjala është për bërllokun.

Nga një fortesë deti të shekullit 19, mes Kopenhagës dhe Malmos së Danimarkës, “Os Om Havet” po e organizon një aksion pastrimi.

Organizata – emri i së cilës në shqip e ka kuptimin “Ne për detin” – është krijuar pesë vjet më parë nga studentët danezë të biologjisë, të cilët – teksa po udhëtonin në Tasmani – ishin vetëdijesuar rreth problemit të ndotjes së detit.

Një nga themelueset e organizatës, Jamila Lilja, ka treguar se si e kanë nisur këtë punë vullnetare.

“Meqë 70 për qind e mbeturinave në det përfundon në fund të tij, dhe ne po zhyteshim, vendosëm që ta bënim këtë punë edhe si hobi, por duke e kombinuar me një veprim që është në të mirë të ambientit dhe që është mbledhja e mbeturinave. Kur u kthyem në shtëpi donim që t’i bashkoheshim ndonjë organizate që merret me këto punë, por e pamë që nuk ekzistonte asnjë e tillë, prandaj vendosëm që të bëjmë vetë diçka”, ka thënë ajo.

Asokohe studentët filluan të organizonin vetë aksione pastrimi, gjatë të cilave vullnetarët pajisen me kostume të zhytjes dhe e pastrojnë fundin e detit.

Sipas themeluesit tjetër, Marc Allentoft-Larsen, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për bërllokun që përfundon në fundin e detit.

“Shumica ngel në fund të detit. Kështu që ky është problemi, për shkak se njerëzit nuk e shohin tërë atë bërllok në fund të oqeanit. Aty përfundon i tëri. Pra, është e vërtetë se nuk dimë shumë”, ka thënë ai.

Përderisa zhytësit e pastrojnë fundin e detit, vullnetarët në një kaike mbledhin mbeturinat në sipërfaqe, e të tjerët ndihmojnë duke i larguar mbeturinat e gjetura në tokë.

Lilja thotë se shpesh bëhet fjalë për plastika, kënaçe dhe shishe, porse kanë gjetur edhe biçikleta, karrocë, madje edhe një shtatore të Budës.

Pasi të mblidhen të gjitha, plehrat renditen në tokë të thatë, që më pas do të shkojnë për riciklim.

Është përpiluar edhe një raport i kujdesshëm për t’u ndihmuar organizatorëve që të gjejnë vendet më të ndotura dhe t’i planifikojnë pastrimet e ardhshme.

Sipas Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), deri në 12 milionë tonë mbeturina plastike përfundojnë në oqeane çdo vit dhe ky numër pritet të trefishohet deri në vitin 2040.