Kuriozitet

Portugalia ua ndalon me ligj punëdhënësve që t’i kontaktojnë punëtorët pas orarit të punës

Shteti i Portugalisë ka fuqizuar së fundmi një ligj përmes të cilit u ndalohet punëdhënësve që të kontaktojnë punëtorët e tyre, pas orarit të punës.

Sipas ligjit, secilit punëdhënës i ndalohet që t’i thërras në telefon, t’ju shkruajë mesazh apo email punëtorëve, pasi këta të fundit të kenë përfunduar orarin ditor.

“Punëdhënësit duhet të respektojnë privatësinë e punëtorëve, përfshirë periudhat e pushimeve dhe kohët me familje”, thekson ligji.

“Çdo kundërshtim i ligjit rezulton si vepër penale dhe mund të përfundojë me gjobë”, thuhet ndër të tjera në këtë ligj.

Një ligj i ngjashëm u dha punëtorëve francezë të drejtën që të injorojnë emailet e pranuara pas orarit të punës, në vitin 2017.

Politika e re portugeze është pjesë e legjislacionit që rregullon punën nga shtëpia. Punonjësit tani kanë të drejtë të heqin dorë nga puna në distancë nëse dëshirojnë - por ata gjithashtu mund të kërkojnë marrëveshjen nëse është në përputhje me punën e tyre.

Masa parashikon gjithashtu që punëdhënësit janë përgjegjës për t'u siguruar punëtorëve mjetet e duhura për të kryer punën e tyre nga distanca.

Ata duhet t'i rimbursojnë punëtorët për çdo shpenzim shtesë, duke përfshirë çdo rritje të faturave të tilla si energjia elektrike dhe gazi, që mund të pësojnë gjatë punës nga shtëpia.

Ligji ka kaluar në Parlamentin e Portugalisë të premten e kaluar, dhe ka hyrë në fuqi një ditë më vonë.

Portugalia është udhëhequr nga një Qeveri socialiste për gjashtë vjet, megjithëse kryeministri Antonio Costa mund të largohet nga pushteti në fillim të vitit të ardhshëm.

Presidenti i vendit së fundmi ka thirrur zgjedhje të parakohshme për në fund të janarit të vitit 2022, për shkak të një bllokimi mbi buxhetin.

Kryeqyteti, Lisbona, ka punuar shumë për të tërhequr nomadët dixhitalë që duan të përfitojnë nga puna në distancë, për t'u zhvendosur përkohësisht ose për të udhëtuar jashtë vendit të tyre.

Praktika u bë më e zakonshme gjatë pandemisë. Firma kërkimore Gartner vlerëson se punëtorët në distancë do të përfaqësojnë 32% të fuqisë punëtore globale deri në fund të 2021, krahasuar me 17% sa ishte në 2019.