Kuriozitet

Pas heqjes së maskave, japonezët u kthehen mësimeve të buzëqeshjes

Pas tri vjetësh me maska, disa japonezë i janë kthyer mësimeve të buzëqeshjes për të rimësuar artin e buzëqeshjes pa u dukur çuditshëm.

Qëkur u largua urdhri për bartje maskash që mbaheshin për ta luftuar COVID-19, shumë njerëz kanë pranuar se po kanë problem në përshtatjen e jetës së re. Disa prej tyre madje kanë thënë se kanë harruar si të buzëqeshin.

“Pasi bartja e maskave u bë normale, njerëzit kishin më pak mundësi për të qeshur dhe shumë e më shumë njerëz kanë fituar komplekse për këtë”, ka thënë Keiko Kawano, mësuese për “edukim të së buzëqeshjes” për “Asahi Shimbun”. “Lëvizja dhe relaksimi i muskujve të fytyrës është kyçe për buzëqeshje të mirë. Unë dua që njerëzit të kalojnë kohën duke buzëqeshur me vetëdije për mirëqenien e tyre fizike dhe mendore”.

Pjesëmarrësit në këto kurse përdorin pasqyra për të parë përparimin e tyre.

Kompania e Kawanos, “Egaoiku” ka përjetuar rritje të madhe interesimi të klientëve pas heqjes së maskave në mars dhe lehtësimit të plotë të masave në maj.

Një nga pjesëmarrëset, 79-vjeçarja Akiko Takizawa, ka thënë se mezi po priste që t’i kthehej jetës normale, me pak ndihmë për të kthyer buzëqeshjen.

“Nuk kam pasur mundësi të shoh njerëz gjatë krizës së pandemisë dhe nuk kam qeshur në publik. Kjo më ka kujtuar se sa e rëndësishme është buzëqeshja”, ka thënë ajo për gazetën “Mainichi Shimbun”.

Klasat janë kryesisht të mbushura me gra, që zgjasin muskujt e fytyrës nën instruksionet e Kawanos.

Kawano është figurë e njohur televizive. Ajo ka trajnuar më shumë se 4 mijë njerëz të buzëqeshin në gjashtë vjetët e fundit si dhe qindra të tjerë për t’u certifikuar si “specialistë të buzëqeshjes”. Ajo mbikëqyr më shumë se 20 trajnerë në gjithë Japoninë.

Edhe pse maskat janë hequr si obligim në mars, në Japoni 27.8 për qind e punëtorëve kanë thënë se do ta vazhdojnë bartjen e maskave. Vetëm 5.5 për qind kanë deklaruar se s’do t’i vënë më.