Teleskopi i NASA-s, James Webb, arriti të filmonte pamje të një planeti misterioz, që ende s'është eksploruar sa duhet nga shkencëtarët. NASA shkroi të enjten në faqen zyrtare se planeti larg sistemit diellor po konsiderohet një mini-Neptun, që ishte kryesisht i padepërtueshëm nga vëzhgimet shkencore.
Planeti u emërtua GJ 1214 b dhe sipas informacioneve zyrtare, ka temperaturë aq të lartë saqë s'mund të përmbajë ujë pasi do ta avullonte menjëherë.

“Planeti është i mbuluar plotësisht nga një lloj mjegulle ose shtresë e reve. Nëse ai do të përmbante ujë, do të ishte një botë ujore me sasi të mëdha materialesh ujore dhe të akullta në kohën e formimit të tij”, deklaroi Eliza Kempton, studiuese në Universitetin e Marylandit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Studiuesja shtoi se planeti është shumë i nxehtë, por me temperaturë pak më të ulët sesa pritej. Kjo u vërtetua nga atmosfera e tij jashtëzakonisht e shndritshme që i befasoi edhe studiuesit.
Për gati dekadën e fundit, e vetmja gjë që dinim me të vërtetë për këtë planet ishte se atmosfera ishte e turbullt ose e mjegullt, shtoi ajo.
Planeti GJ 12 14 B mund të jetë formuar nga ylli i tij i afërt, i njohur si xhuxhi i kuq.