Një aeroplan i AirAsia në Malajzi ka ndërruar drejtimin pasi u gjet një gjarpër në aeroplan, ka konfirmuar linja ajrore.
Fluturimi ishte rrugës nga Kuala Lumpur për në Taëau më 10 shkurt, kur disa pasagjerë thuhet se kuptuan se kishte një gjarpër në bordin e avionit. Një përdorues i mediave sociale ka shpërndarë pamjet kur gjarpri po rrëshqiste nëpër aeroplan.
"Ky është një incident shumë i rrallë që mund të ndodhë në çdo avion herë pas here”, ka thënë kapiteni Liong Tien Ling, shefi i sigurisë së AirAsia, në një deklaratë të dërguar me email për CNN Travel.
“Sapo piloti mori njoftimin për një gjarpër, avioni u ridrejtua për në qytetin e Kuching”, ka shtuar ai.
Atje, avioni u tymos dhe në këtë mënyrë u largua edhe gjarpri.
"Siguria dhe mirëqenia e mysafirëve dhe ekuipazhit tonë është gjithmonë prioriteti ynë kryesor. Në asnjë moment siguria e mysafirëve apo ekuipazhit nuk ishte në rrezik”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Incidentet e gjarpërinjve në bordin e avionëve janë të rralla, por ndodhin.
Në vitin 2012, një pasagjer i cili rastisi të ishte pronar i një dyqani zvarranikësh, kontrabandoi një kobër në bagazhin e tij në një fluturim të Egyptair dhe u zbulua kur gjarpri u lirua dhe i kafshoi dorën.