Kuriozitet

Puna në furra në kohën e pandemisë

Ka më shumë se dy javë që restorantet dhe kafenetë në Kosovë kanë ndërprerë përkohësisht veprimtarinë e tyre.

E qytetarët si të vetmen mundësi që kanë për të blerë ushqime të gatshme janë furrat, aty ku nuk është ndalur puna.

Ky është furrtari, Shefki Berisha, i cili udhëheq furrën “Labi” në Prishtinë. Ai thotë se pandemia Covid-19 ua ka vështirësuar punën dhe shëndeti i tyre vazhdimisht është në rrezik për shkak të kontakteve të shumta që kanë me qytetarë. Megjithatë, shton se punën dhe shërbimin nuk do t’i ndalin.

Berisha thotë se që nga fillimi i pandemisë në furrë ka reduktuar listën e shërbimeve që do të ofrojë, e po ashtu edhe të stafit.

Furrat që nuk e kanë ndalur punën gjatë pandemisë do të shpërblehen nga Qeveria e Kosovës. Së fundmi herë, Ministria e Financave dhe Transfereve, përmes pakos për ndihmë emergjente ka propozuar që të ketë 100 euro pagë shtesë për dy muaj për të gjithë punonjësit e marketeve ushqimore, furrave dhe farmacive, por, sipas furrtarit Berisha, kjo shumë është e vogël në krahasim me shërbimin që po ofrojnë në këtë periudhë.

Berisha thotë se furra ku ai punon vazhdimisht dezinfektohet dhe kujdeset për pastërtinë e objektit.

Furrtari në këtë situatë të vështirë ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që t’u dalë në ndihmë edhe 10 familjeve që kanë nevojë për bukë.