LAJMET E MBRËMJES

Shqipëria dorëzon në Këshillin e Evropës rezolutën kundër Dick Martyt

Në notën verbale të paraqitur nëpërmjet misionit të përhershëm të Shqipërisë kërkohet që pretendimet në raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, të konsiderohen nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare si të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe në fakte, ashtu siç është evidentuar në hetimet më se 10-vjeçare

Rezoluta kundër raportit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, e miratuar rreth një muaj më parë në Kuvendin e Shqipërisë, është dorëzuar të premten edhe zyrtarisht në Këshillin e Evropës, nga misioni i përhershëm i Shqipërisë.

Rezoluta me gjithsej 20 pika “mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, ishte miratuar më 21 korrik me votën unanime të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Në notën verbale të Shqipërisë adresuar në Strasburg është theksuar se pretendimet nga raporti i Martyt nuk janë konfirmuar të jenë mbështetur në fakte, edhe pas 10 vjetësh hetime.

“Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, më 21 korrik 2022, pretendimet e bëra në raportin e Dick Martyt për vrasjen e njerëzve me qëllim të mbledhjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së (2011), pas më shumë se dhjetë vjetësh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e Bashkimit Evropian dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe në fakte, dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”, është bërë e ditur në letrën e dorëzuar në KiE, të publikuar nga mediat në Shqipëri.

Sipas raportimit të mediave, nota verbale përfshin gjithashtu thirrjen për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbi përgatitjen e një raporti të ri, në të cilin do të shqyrtoheshin akuzat për tregti të paligjshme të organeve njerëzore.

Në këtë notë është specifikuar, po ashtu, se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon nga Asambleja Parlamentare e KeE-së që të përpilojë një raport pasues dhe që ta rishikojë Rezolutën 1782 të miratuar më 2011, me qëllim të rivlerësimit të akuzave.

“Misioni i përhershëm i Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës e përdor këtë mundësi për t’i përsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës”, thuhet në notë.

Miratimi i rezolutës kundër raportit të Martyt ishte shoqëruar këtë fundkorrik me debat dhe me akuza të ashpra midis kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike në opozitë.

Mbështetur në pretendimet e ish-senatorit zviceran, të përmbledhura në raport, është krijuar vite më vonë Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, ku aktualisht janë duke u mbajtur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe figura të tjera politike, të cilat ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit.